Pa rrugë, pa ujë dhe pa kanalizime, fshati që nuk ka ndryshuar për 30 vjet

Pesë kilometra nga “Parisi i vogël”, siç njihet ndryshe Korça, fshati Neveçisht është lënë në harresë totale. Për 30 vjet, ky fshat ka pritur e përcjellë kandidatë për deputetë dhe kryetarë bashkie, por realiteti nuk ka ndryshuar aspak.

Krahas infrastrukturës, më e rënduar bëhet situata për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, si dhe kanalizimeve për 600 banorë të këtij fshati.

Politika dhe premtimet nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm sa i kanë zhgënjyer për dekada. Situata ka arritur deri në atë pikë sa banorë të fshatit janë në pamundësi për të mbjellë në tokat e tyre.

Pavarësisht synimeve të politikës shqiptare për ta futur vendin në BE, duket se në të vërtetë njerëzit vuajnë për gjërat më elementare të të jetuarit, ujin, kanalizimet dhe hedhjen e mbeturinave në një vend të caktuar.