Policia referoi “Rinasin”, dëshmia: Mora dijeni në pistë se avioni ishte kthyer pas gjatë fluturimit

Pas ndalimit të tre personave të dyshuar si përgjegjës e organizatorë të lënies së detyrës në kullën e vrojtimit në Rinas, prokuroria mori 2 referime mbrëmjen e së mërkurës për atë çka po ndodhte në aeroport.

Referimi i parë u bë nga një efektiv policie në komisariatin e Rinasit, Alban Xhediku. Në referim thuhet se personi i parë që mori dijeni për situatën e bllokuar në aeroport ishte Astrit Kurti me detyrë marshall i vendqëndrimit të avionëve.

Marshalli në deklarimet e tij tha se në orën 09:00 zbriti në pistë në pritje të fluturimit nga Athina në drejtim të Tiranës. Më pas, ai ishte njoftuar në telefon se avioni me 68 pasagjerë në bord ishte detyruar të kthehej mbrapsht.

Aty, më pas, marshalli kishte konstatuar dhe avionin “Air Albania”, i cili do të duhej të nisej për në Turqi, por që edhe ky fluturim nuk ishte kryer. Pasi kishte shkuar në kullën e vrojtimit, komunikimi është bërë me një nga menaxherët e turnit. Oficerët e policisë gjyqësore morën deklarime dhe një tjetër punonjëse Edona Pullazi, në kullën e vrojtimit.

Sipas saj, fillimisht erdhi një e-mail për pezullimin e fluturimeve nga ora 09:30 deri në orën 12:00 dhe pas këtij emaili dy njoftime të tjera. Në deklarime, ajo tha se një tjetër email anuloi mesazhin e parë, i cili lejonte fluturimet deri në orën 12:00 dhe pas tij njoftimi i fundit që pezulloi gjithçka. E-mail-et tashmë janë sekuestruar nga prokuroria, ndërsa 3 turnet e kullës së vrojtimit dhe emrat përkatës pritet të merren në pyetje gjatë hetimit.