Punonjësit në Rinas: Deri në orën 17:00, aeroporti i mbyllur. Albawings: Fluturimet për sot janë anuluar

Edhe pse që prej mëngjesit të së mërkurës nga pista e aeroportit të Rinasit nuk është ngritur apo ulur asnjë avion, mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:00, ishte parashikuar të kishte një fluturim drejt Bergamos, por u anulua.

Më pas, punonjësit e aeroportit “Nënë Tereza” njoftuan se deri në orën 17:00 nuk do të kishte asnjë fluturim.

Me qindra pasagjerë qëndruan në ambientet e aeroportit në pritje të fluturimeve, ndërsa më pas erdhi edhe një njoftim nga ana e kompanisë Albawings, e cila do të fluturonte drejt Bergamos, por ka bërë të ditur se edhe pas orës 17:00 nuk do të ketë fluturime.

Aktualisht, në ambientet e aeroportit ka një numër të madh udhëtarësh që presin të fluturojnë në destinacione të ndryshme. Për ditën e sotme, janë parashikuar 38 fluturime nga aeroporti i Rinasit. Më shumë se gjysma e tyre duhet të kishin kryer ulje apo ngritje nga aeroporti i Rinasit.