Kategoria Superiore, Laçi e Vllaznia luajnë një pjesë të titullit

vllaznia 600x338

Pesë skuadra në garë për titullin. Vetëm 5 pikë diferencë, për një garë që duket e destinuar të mbetet e hapur deri në fund. Një pjesë e titullit mund të vendoset prej kësaj të shtune, në supersfidën Laçi-Vllaznia.

“Sfida me Laçin ka rëndësi të madhe për Vllazninë. Është ekipi i vetëm, ndaj të cilit kemi bilanc negativ dhe për më tepër një rival direkt. Do të bëjmë të pamundurën që t’i marrim pikë Laçit. Kësaj i shtojmë edhe faktin që luajmë dy ndeshje me radhë ndaj këtyre kundërshtarëve, në kampionat dhe në Kupë. Natyrisht që jemi të përqendruar fillimisht në kampionat, por nuk e fshehim synimin për ti fituar të dyja përballjet”, tha Thomas Brdarić.

Tirana kampione në fuqi shpreson t’i afrohet kreut, edhe pse fitorja në Korçë me Skënderbeun që lufton për mbijetesë do të jetë e vështirë. Dueli vështirë edhe për Kukësin, në fushën e Kastriotit, me veri-lindorët që vuajnë të gjejnë vazhdimësinë.

“Është një kundërshtar që këtë javë ka bërë shumë mirë, Ka marrë pikë dhe kanë besim, i cili është i rëndësishëm në futboll. Do jetë një transfertë shumë e vështirë”, tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Ndërsa Teuta kryesuese udhëton prej së shtunës në Fier, java e 27-të e Kategorisë Superiore mbyllet me përballjen ndërmjet Partizanit me Bylisin, që lufton për tu larguar nga zona.