Pezullimi i punës në Rinas dhe “ndikimi” në stërvitjen “Defender Europe 21”, NATO i përgjigjet A2: Po ndjekim zhvillimin e ngjarjes

Defender 21 stervitja e natos ne shqiperi 1100x620

“Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile”.

Kështu u shpreh kryeministri Rama dy ditë më parë kur kontrollorët e Rinasit pezulluan punën duke bllokuar përkohësisht fluturimet nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas.

Pas kësaj deklarate, A2 pyeti NATO-n nëse kjo çështje do të ndikonte në zhvillimin normal të stërvitjes së përbashkët të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”.

Përgjigjja ishte e shkurtër: “Ne po ndjekim zhvillimin e ngjarjes në Shqipëri”. Megjithatë, një ditë më parë, në një deklaratë nga aeroporti i Rinasit u njoftua se këtë të premte pritet që të nisë puna normalisht edhe për fluturimet komerciale.