“Qyteti që po vdes”

I pozicionuar në majë të një kodre e në mes të një lëndine, thuajse 100 km në veri të Romës, gjendet qyteti mahnitës Civita di Bagnoregio. Deri më sot, ka arritur të mbijetojë prej 3 mijë vitesh por tani qyteti i vogël dhe banorët e tij, luftojnë për të mos u zhdukur.

Pamja e tij ngjason vërtet si një kartolinë, me vendndodhjen perfekte në qendër të Italisë, por mbijetesa e saj tashmë varet vetëm nga një mrekulli.

Civita di Bagnoregio ka qenë nën kërcënim të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e tokës dhe erozioni që nga ndërtimi i tij nga etruskët, për motive ushtarake, mes viteve 600-280 para Krishtit. Ndër shekuj ka patur debat, për datën apo vitin ekzakt të ndërtimit të qytetit. Disa thonë se ajo është ngritur mbi një kodër të rrumbullakosur më herët.

Por debati më i madh është ai i ndërtimit të paqëndrueshëm të miksimit të baltës me tufo, një lloj guri vullkanik. Fatkeqësisht, me kalimin e viteve, Civita di Bagnoregio, po njihet me titullin “La città che muore”, qyteti që po vdes, por banorët thonë se me vendosmëri, nuk janë lejuar dekadat e fundit që qyteti i tyre vërtet të marrë fund.

 “Motoja jonë është rilindja, sepse Civita është themeluar nga etruskët, i mbijetoi periudhës romake dhe të gjithë periudhës mesjetare, deri më sot. Ky vend është shumë i brishtë për shkak të problemit në strukturën e tij gjeomorfologjike. Shkëmbi është i përbërë nga balta dhe guri vullkanik dhe ka qenë gjithnjë subjekt i agjentëve atmosferikë, shiut dhe erërave, që e kanë ndryshuar totalisht pamjen e saj në vitet e fundit”, thotë Luca, një nga banorët.

Një nga sheshet piktoreske të Civitas

“Lugina e tokave të këqija”

 Që nga periudha e etruskëve, qyteti është tkurrur, me thuajse 1/3 e sipërfaqes totale të shumë viteve më parë dhe nga forma e madhësia origjinale e 3 mijë viteve më parë, kjo për shkak të erozionit, ndihmuar edhe nga tërmetet që kanë shkaktuar vazhdimisht rrëshqitje të dheut dhe tokës. I gjithë qyteti, sot shtrihet në lartësinë e 152 metrave dhe 91 metra I gjerë dhe aksesohet vetëm në këmbë, përmes urës së gjatë 300 metra.

Më herët pjesë e kësaj qyteze ka qenë edhe deti, siç thonë historianët, që është zhdukur miliona vite më parë, duke lënë pas vetëm baltën, që përbën shtratin e shkëmbit të Civita-s.

Një vullkan u formua dhe nisi shpërthimin 590 mijë vjet më parë. Llava dhe hiri nga shpërthimet ndër vite, formuan një pllajë me gurë tufo, pra gurë vullkanikë, që u shtrinë e zunë vend mbi tokën e butë. Evoluimi i shpejtë i peizazhit të qytezës, formuan ato që njihen si shtatet e pjerrëta të maleve që e rrethojnë, të njohura edhe si “Valle dei calanchi”, Lugina e tokave të këqija.

Shtresëzimi me baltë dhe gurë vullkanikë është arsyeja përse Civita di Bagnoregio është kaq i brishtë dhe kaq i prirur për erozione dhe rrëshqitje të tokës.

Por qyteti është përballur ndër vite edhe me probleme të tjera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u pushtua nga gjermanët, të cilët shembën urën e saj. Ajo u rindërtua si mënyra e vetme për të hyrë në qytet, vetëm në vitin 1965. Që prej vitit 2000, banorët e qytetit kanë nisur edhe ligjërisht betejën për të shpëtuar qytetin dhe shtëpitë e tyre dhe e ruajnë e kujdesen që ai t’ i shpëtojë sa më gjatë fenomeneve natyrore. E deri më sot, kjo ka funksionuar.

Kjo falë edhe strukturës së 7 kafazeve, të ndërtuara përqark qytetit, me qindra shkallë të ngritura e të ngjitura me gurët e shkëmbit, si mënyrën për ta shpëtuar atë nga shembja. Mbi tokë, ekziston një e ashtuquajtur shufër çeliku ‘extensometër’ që zbulon çdo lëvizje, të madhe apo të vogël, të shkëmbit. Nëse ndonjë pjesë e shufrës metalike lëviz, qoftë edhe me pak centimetra, kjo nënkupton se ka ndodhur zhvendosje e gurëve dhe dheut apo ndonjë aktivitet tjetër.

Gjeologu Luca Costantini, që punon edhe në muzeun e qytetit, shpjegon sesi funksionin sistemi i monitorimit të strukturës së qytetit, në të cilën është ndërhyrë vazhdimisht për të siguruar që ndërhyrjet e bëra në të, funksionojnë siç duhet.

Costantini shpjegon sesi Civita di Bagnoregio ka qenë ndër shekuj i banueshëm e sot është braktisur thuajse totalisht nga frika e shembjes së qytetit. E si të mos mjaftonte fakti se banorët jetojnë vazhdimisht me frikë, erdhi edhe pandemia koronavirus.

Nga 40 mijë turistë në mbi 1 milionë, dhe sërish heshtje

Ndalimi i lëvizjes mes rajoneve në Itali dhe mungesa e turistëve të huaj, me miliona në numër që e vizitojnë, ka bërë që qyteza të ketë shumë pak aktivitet. Tani për tani, Civita është në karantinë, duke u shndërruar në një qytet thuajse fantazmë, me kambanat e kishës si e vetmja zhurmë që ndihet në rrugët e qeta e të braktisura.

Në qytezë banojnë vetëm 14 banorë të përhershëm, por numri i tyre varet nga sezoni. Qyteza nuk ka farmaci, zyrë postare apo supermarket. Vendasit apo turistët duhet të kalojnë urën e të zbresin në qytezën fqinje, për të bërë pazar apo për pagesa. E habitshme por ky atraksion i padiskutueshëm turistik nuk njihej as nga vetë italianët e as nga turistët e huaj, deri në 2013 kur autoritetet vendore vendosën tarifën 1.5 euro në qoftë se kaloje urën për të vizituar qytetin, duke tërhequr kështu vëmendjen e mediave e turistëve po ashtu.

Tarifa e vizitës tashmë është rritur në 5 euro dhe paratë që grumbullohen shkojnë për të financuar ndërhyrjet në të dhe për të mbajtur gjallë sistemin e monitorimit të saj. Po ashtu, banorët nuk paguajnë asnjë taksë.

 Deri në shkurt të vitit të shkuar, kur nisi pandemia, gjysma e vizitorëve ishin italianë e gjysmë turistë të huaj. 20% prej tyre ishin aziatikë e 7% nga Shtetet e Bashkuara.

Rrugicë në Civita di Bagnoregio

Fatmirësisht sezonin e kaluar vendor, kur masat izoluese u lehtësuan, qyteti pa një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve vendas. Kur Lazio, rajoni përqark Civita dhe Romës u shpall zonë e verdhë, me masa të lehta, banorët shijuan bukuritë e qytetit, thuajse çdo ditë. Për këtë arsye, vetë kryebashkiaku Profili shpreson që qyteti do të mbijetojë.

Por Stefano Lucarini, një 29-vjeçar që zotëron një restorant në qytet, thotë se ndihet shumë i pafatë. Ai menaxhoi restorantin “Pusi i dëshirave”, shumë pranë hyrjes për në qytet për 5 vjet, përpara se të bënte para për ta blerë atë në mars të 2020, në ditët kur në vend nisi karantina kombëtare.

Sot biznesi i tij është në prag falimenti, pasi që në ditët e para u detyruan të ulë qepenat, për shkak të izolimit dhe mungesës së vizitorëve. Civita di Bagnoregio dhe lugina që e rrethon sot janë kandidatë për tu bërë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Zëdhënësi i kryebashkiakut, Roberto Pomi thotë se kërkesa është dërguar në muajin janar dhe ekspertët e UNESCO-s pritet të vendosin brenda qershorit të vitit të ardhshëm.

Ata shpresojnë që aplikimi i tyre të jetë i suksesshëm, për të rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjen, qytezën e vogël mesjetare, me histori të jashtëzakonshme, e për ta ndihmuar atë që të jetojë sa më gjatë të jetë e mundur.

 “Kemi arritur nga 40 mijë turistë në vitin 2009 në mbi 1 milionë në vitin 2019. Qartësisht, ky numër është përkthyer në benefite të konsiderueshme ekonomike, me çeljen e shumë aktiviteteve, duke krijuar edhe vende pune. Por nisja e pandemisë në mars të 2020-ës, karantina, na detyroi që të mbyllim zyrën e biletave dhe sot pagesa prej 5 eurosh, që mungon në buxhetin e bashkisë, nuk na lejon që të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme”, thotë kryebashkiaku.

 Një sipërmarrës lokal, Stefano Lucarini, thotë se “nga pikëpamja e biznesit, koronavirusi na goditi rëndë. E kam menaxhuar këtë restorant për 5 vjet përpara se ta blija në mars të 2020. Nuk kam arritur të përfitoj asgjë sepse u detyruam të mbyllemi sapo e bleva aktivitetin” dhe shton se “risku i ndryshimeve natyrore është shqetësues. Ne e dimë të gjithë historinë e qytetit dhe shpresojmë që pas pandemisë, të mos përballemi edhe me rrezikun e shembjes. Shpresojmë vetëm që çdokush që do vijë këtu, të mund ta shijojë qytetin”.