Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
12 Prill 2021, 08:04 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Një tjetër javë e nxehtë politike nis sot me krerët e partive që ndalen në vende të ndryshme për t’u takuar me qytetarët. Kur mbeten më pak se dy javë nga zgjedhjet e 25 prillit, e gjithë vëmendja këtë muaj ka qenë te qytetarët e thjeshtë dhe grupet e interesit. Opozita akuzon qeverinë e kryeministrit Rama për paaftësi drejtuese dhe menaxhuese, ndërsa nga pala tjetër akuzohet për mungesë figurash të pastra dhe promovohet fushata për rindërtimin pas tërmetit dhe vaksinimin e popullatës.

Nga sot fillon vaksinimi për moshat mbi 60 vjeç

Vijon gjithashtu procesi i imunizimit të popullatës në vend. Gjatë fundjavës ministrja e Shëndetësisë njoftoi se nga sot fillon vaksinimi për moshat mbi 60 vjeç, ndërkohë që brenda ditës priten 7020 doza të tjera të vaksinës së Pfizer Biontech dhe një tjetër parti e kinezes Sinovac. Nga sot, gjithashtu pakësohet me dy orë kufizimi policor i mbrëmjes.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sfidojnë rregullat

Kufizimi i aktivitetit të bareve dhe restoranteve i drejtoi qytetarët e Maqedonisë së Veriut drejt parqeve, pavarësisht se nuk lejohen grumbullimet. Duke sfiduar rregullat e vendosura nga autoritete të shumta ishin ata që shijuan rrezet e diellit në natyrë. Në kushtet e rënduara me pandeminë edhe qytetarët shprehin bindjen se po t’ i kishin respektuar masat, sot situata do të paraqitej ndryshe.

Grekët skeptikë për vaksinën, Mitsotakis thirrje qytetarëve të mos hezitojnë

Dyshimet e shumta në lidhje me vaksinën kundër pandemisë kanë bërë që grekët të hezitojnë ta marrin atë. Gjatë një dalje të fundit për mediat vendase, kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis u bëri edhe një herë thirrje popullit të tij, kryesisht të moshuarve që mos të hezitojnë ta marrin atë. Në lidhje me këtë çështje ai u bëri thirrje edhe krerëve të besimit dhe përfaqësuesve të shtresave të ndryshme që t’u bëjnë apel qytetarëve për fushatën e imunizimit.

Sllovenia hap sot të gjitha shkollat në vend

Evropa është e ndarë midis vendeve që shkojnë drejt hapjes dhe të tjerave që shtojnë masat izoluese. Sllovenia hap nga sot të gjitha shkollat në vend, ndërsa në Gjermani masat merren njëtrajtësisht për të gjitha landet nga qeveria e Berlinit.

Britani vaksinon 74% e popullsisë

Ndryshe nga vendet e tjera, Britania e madhe arrin sot imunitetin e tufës ku 74 për qind e popullsisë do të jetë e mbrojtur nga virusi, Të dhënat shkencore tregojnë se Britania mund t'i heqë të gjitha kufizimet dhe të kthehet në normalitet të plotë, më 21 qershor.

Fauci: Pas vaksinimit në SHBA, shansi për vendet e varfra

Të gjitha vendet e varfra që vuajnë mungesën e vaksinave, mund ta kenë një shans kur Amerika të mbarojë procesin në territorin e saj. Këtë e konfirmon, virologu i njohur, Anthony Fauci, sipas të cilit, kjo do të bëhet e mundur për vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Megjithatë, ai shtoi se për momentin SHBA nuk posedon sasi të tepërta.

Blinken fajëson Kinën për vonesën e përgjigjes ndaj koronavirusit

Pritej që të kishte një tjetër qasje nga administrata e Biden në lidhjet dypalëshe me Kinën, por nuk rezultoi ashtu. Pas akuzave të vazhdueshme për sa i takon çështjeve ekonomike, sekretari i shtetit, Anthony Bliken solli edhe një herë në vëmendje akuzat e forta ndaj shtetit komunist në kuadër të luftës me pandeminë koronavirus. "Ajo nuk bëri atë që duhej të bënte”, tha Antony Blinken dhe si pasojë, sot bota numëron 2,9 milionë jetë të humbura. Nga Kina, edhe këtë herë nuk pati një përgjigje për akuzat.

"Sofagate", Franca kërkon qasje më të rreptë ndaj Turqisë

Pas Italisë, edhe Franca nuk heq dorë nga skandali gjatë vizitës se Von Der Leyen në Ankara ku nuk i rezervuan një kolltuk, sikurse Charles Michel, por e ulën në divan. Turqia ngriti një "kurth" kundër Ursula von der Leyen, në atë që tani njihet si "sofagate". Kështu e përshkroi situatën ministri francez për Evropën, Clement Beaune, i cili kërkon qasje më të rreptë ndaj Turqisë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë