Fushata elektorale, shpenzime të padeklaruara nga burime të dyshimta

Fushatat zgjedhore në Shqipëri janë të karakterizuara me shpenzime të mëdha, që shkojnë për të financuar gjithçka nga posterat, banderolat, flamujt, bluzat dhe kapelet me logo, tek reklamat në media dhe rrjete sociale, aktivitetet, stafin, transportin, qiratë e ambienteve, e tjerë.

Kështu, për vitin 2017, në fushatën e kaluar për zgjedhjet parlamentare, subjektet deklaruan rreth 264 milionë lekë shpenzime, apo rreth 2.1 milionë euro. Megjithatë, sipas ekspertëve, shpenzimi që raportojnë vetë partitë duket se nuk i pasqyron të gjitha këto kosto dhe paranë që qarkullon rrjedhimisht në ekonomi.

Erebara ngre shqetësimin së përgjatë viteve, flirti i politikës me krimin e organizuar, që financonte me para për fushatën, është kthyer në një marrëdhënie, ku krimi tashmë kontrollon dhe dikton politikën në shumë raste.

Për Dritan Taullën, sot është më e nevojshme se kurrë që partitë të bëjnë transparencë për financimin e tyre. Por Shqipëria ka bërë hapa pas në këtë drejtim, duke e bërë të detyrueshëm deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve vetëm dy muaj pas fushatës dhe jo përgjatë saj.

Përdorimi i parave të pista dhe fshehja e shpenzimeve reale në fushatat zgjedhore është një problem i pranuar edhe nga partitë politike përgjatë viteve, që pavarësisht vullnetit të shprehur, nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje konkrete.