Golden State thyen Denver, Curry në histori

james 1100x620

Me 53 pikët e realizuara në fitoren 116-107 që Golden State regjistroi përballë Denver, Steph Curry hyn në histori. Ylli i Warriors realizoi 53 pikë, duke u shndërruar në pikashënuesin më të mirë në historinë e Golden State, ku kaloi legjendën Wilt Chamberlain.

Curry kaloi kuotën e 50 pikëve në një ndeshje për herë të nëntë në karrierë. Organizatorit i nevojiteshin vetëm 19 pikë për të vendosur primatin e ri, diçka të cilën e realizoi prej periodës së parë të sfidës, ku shënoi 21 pikë.

Koshi historik, me të cilin they rekordin që zgjaste prej 57 vjetësh, u realizua me një inkursion nga e djathta, duke nxjerrë jashtë loje McGee, që tentoi ta bllokonte.

Ky moment bëri që Curry të ngjitej në kuotën e 17.784 pikëve me fanellën e Warriors, por ylli i skuadrës nuk u frenua. Ai vazhdoi të dhuronte spektakël dhe me 53 pikët e realizuara në total, shënoi ndeshjen e katërt më të mirë të një karrierë të jashtëzakonshme.

Në ndeshjet e tjera të NBA-it, Washington befasoi Utah me rezultatin 125-121, duke i shkaktuar Jazz humbjen e parë në shtëpi pas 24 fitoreve me radhë. Phoenix afrohet në klasifikim duke mposhtur Houston, ndërsa ndeshja Minnesota-Brooklyn u shty.