Zidane sheh kualifikimin, Guardiola për gjysmëfinalen e parë me City-n

PRAG CHAMPIONS REAL E CITY frame 0 1100x620

Ëndrra e dy prej trajnerëve më fitues në botë, është që të përballen në finalen e Champions League. Ky është rasti i Zinedine Zidane dhe Pep Guardiolës, te cilët duhet të mbrojnë fitoret e ndeshjeve të para në çerekfinale. Pas suksesit 3-1 në ndeshjen e parë me Liverpool, ZinedineZidane luan në Anfield shansin që të kualifikohet në gjysmëfinalen e katërt nga pesë të mundshme në Champions.

“Kemi vuajtur dëmtime të shumta, por ka arsye të forta përse ky është një sezon i pazakontë. Gjithsesi nuk kemi zgjidhje, përveçse të provojmë të japim më të mirën. Kudo ku luajmë, kërkojmë të fitojmë dhe jemi gati të bëjmë një paraqitje të mire”, tha Zidane.

“Kur humbet 3-1ndeshjen e parë, duket sikur je i eliminuar. Kjo do të thotë se nuk ke shumë për të humbur. Në pozita të tilla duhet të provojmë përmbysjen. Kjo është detyra jonë dhe për këtë do të hyjmë në fushë”, u shpreh Klopp.

Në anën tjetër, Pep Guardiola do të përballet me Borussia Dortmund, për të thyer mallkimin në stolin e Manchester City, skuadër me të cilën nuk ka arritur kurrë të luajë në gjysmëfinalet e turneut më të rëndësishëm për klube. Fitorja 2-1 është pozitive, por nuk jep garanci.

“Fituam ndeshjen e parë, por nuk do të luajmë me synimin ta mbrojmë këtë rezultat. Duhet të luajmë si kemi bërë gjatë gjithë sezonit, të hyjmë në fushë për të fituar. Ky është objektivi ynë, të triumfojmë duke imponuar lojën tone”, tha Guardiola.

“Shpresa është e madhe, por vetëm ajo nuk mjafton. Duhet të fitojmë dhe për këtë nevojitet të shënojmë të paktën një gol. Kjo do të thotë se nuk mund të luajmë në mbrojtje, por të shfaqim kurajë dhe të sulmojmë”, tha trajneri i Dortmund.

Fituesja e çiftit Real Madrid-Liverpool do të luajë në gjysmëfinale me Chelsea, ndërsa fituesja e Manchester City-Borussia Dortmund do të ketë përballë Paris Saint Germain.