Dita e një të moshuari, të përballosh jetesën me një pension minimal

Të ulur në stolin e tij ku kalon tashmë çdo ditë, me vështrimin përpara, por në mendime të së shkuarës. Kështu e gjejmë Zenel Berishën, sot në pension, pas një jete të tërë si shofer. Ai mendon se gjërat për të mund të kishin shkuar ndryshe, nëse vetëm do të kishte mundur të kapërcente barrierat e gjuhës dhe vetminë e emigracionit.

Ashtu si për shumë të moshuar, pensioni është e ardhura e vetme për Zenelin. Me të ai mund të bëjë pak për të përballuar shpenzimet që ka pleqëria.

Sëmundjet kronike, vetmia, braktisja nga shoqëria dhe paratë gjithmonë të pamjaftueshme janë shoqëruesit e moshimit në Shqipëri. Një fakt i evidentuar edhe nga institucionet zyrtare, por i mbetur pa një veprim konkret për ta zgjidhur, siç do të ishte garantimi i një minimumi jetik.

Zeneli shprehet se një rritje e pensionit, sado modeste, do të ndihmonte në përmirësimin e jetës së tij. Por pavarësisht premtimeve, që bëhen gjithmonë në periudhë fushatash, situata nuk ndryshon. Zenelit dhe qindra mijëra të moshuarve të tjerë në Shqipëri, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ngushëllohen në diell, e të kujtojnë kohën kur ai ngrohte.