Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Pandemia rëndoi skemën, deficiti i pensioneve u rrit në 235 milionë euro

Nga A2 CNN
15 Prill 2021, 14:43 | Ekonomi
Pandemia rëndoi skemën, deficiti i pensioneve u rrit në 235

Pandemia nxori jashtë skemës së detyrueshme të pensionit plot 34 mijë persona gjatë vitit të kaluar. Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, tregojnë se në 2020-n numri mesatar i kontribuuesve ishte 747 mijë persona, nga 781 mijë në vitin 2019.

Më pak persona në skemë do të thotë rrjedhimisht më pak të ardhura, konkretisht 1.64 miliardë lekë mangut krahasuar me vitin e kaluar, apo 13.3 milionë euro më pak.

Në kahun tjetër, shpenzimet e sigurimeve shoqërore u rritën me 2 miliardë lekë, për të përballuar pensionet e një popullsie në plakje.

Për rrjedhojë, deficiti i skemës, apo thënë ndryshe diferenca që duhet të subvencionohet nga shteti arriti në 29 miliardë lekë, apo rreth 235 milionë euro. Para që duhet të paguhen çdo vit nga paratë e taksapaguesve, pasi në të kundërt rrezikohen pensionet e qytetarëve.

Përballë një deficiti kaq të madh, qeveria vendosi të aplikojë nga 1 janari i këtij viti pagën minimale 30 mijë lekë, që nënkupton edhe rritjen e masës së kontributeve që paguajnë punonjësit me këtë pagë, si dhe të vetëpunësuarit. Megjithatë, kjo masë është e pamjaftueshme për të mbyllur këtë hendek dhe vështirëson rritjen apo indeksimin e pensioneve në të ardhmen.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani