Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Rama nga Kamza: Në 25 prill ka dy rrugë, të shkoni pas ofertës së lekut, apo punës

Nga A2 CNN
15 Prill 2021, 12:10 | Politikë
Rama nga Kamza: Në 25 prill ka dy rrugë, të shkoni pas

“Në 25 prill ka dy rrugë; ose përsëri mbrapsht, duke shkuar pas ofertës lekë, lekë, ose vetëm përpara punë, punë, punë”. Këtë mesazh u dha kryeministri Edi Rama banorëve të Kamzës për të zgjedhur se kë duhet të votojnë më 25 prill.

Duke sjellë në vëmendje sërish firmat piramidale, Rama theksoi se ndërsa ata ishin një grup fajdexhinjsh që i çuan shqiptarët në marrëzi, këta janë interesaxhinj që janë gati të djegin Shqipërinë e shqiptarët.

“Kushti është të jemi të bashkuar për shtëpinë tonë të përbashkët, mos biem pre e atyre që na ofrojnë lekë. Rrapushi i çoi shqiptarët në marrëzi për të shitur bagëtitë e shtëpitë, si mund të na përsëritet e njëjta skenë, jo më nga një grup fajdexhinjsh, por interesaxhinjsh që janë gati të bëjnë çdo gjë, ta djegin dhe gënjejnë Shqipërinë e shqiptarët. Si mund t’i besohet një pale që vjen me taborë dasmorësh që premton lekë, lekë, lekë për sipërmarrësit e pensionistët. Cilat lekë?  A ka ndonjë që e ka ndërtuar shtëpinë me lekë që vijnë nga qielli dhe ka hedhur lekë që ia ka dhënë dikush dhe ia ka falur”.

Gjatë fjalës së tij, Rama akuzoi politikën se nuk ka bërë as një të njëmijtën për Kamzën, por prapë thekson se zgjidhja është te politika. Kjo e fundit sipas Ramës ka bërë të mundur rindërtimin dhe vaksinimin e 300 mijë personave

“Çdo babë e gjysh këtu në Kamëz i ka duart me kallo se e ka ndërtuar tullë për tullë shtëpinë e re. Shtëpia nuk ndërtohet që dikush tjetër ta bëj për ty apo të rrish këmbë mbi këmbë. Çdo shtëpi është ndërtuar me gjakun dhe sakrificat e djersën e jashtëzakonshme. Sa herë i kanë lënë punimet në mes dhe nuk janë dorëzuar. Më vjen keq, por ka një fakt të vërtetë që politika nuk ka bërë për Kamzën as 1 të një mijtën që çdo kryefamiljar dhe nënë në shtëpi këtu ka bërë në shtëpinë e vet, as një të njëmijtën dhe Kamza është vendi ku mund të flasësh pa galje se nuk të kuptojnë se kush mendon se politika është kot dhe diçka e keqe, gabon rëndë se politika e ka Kamzën pa asnjë shpresë për një çerdhe të denjë për fëmijët, për kopsht, për shkollë të denjë për fëmijët dhe kanalizime e ujësjellës. Vetëm rrugë, rrugë, rrugë dhe është politika që sot po i bën të mundura të gjitha këto. Po të mos ishte politika sot nuk do të ishim duke prekur sot numrin 300 mijë të vaksinuarve. Vaksinat nuk erdhën nga qielli, i solli politika dhe sikundër mund të na linte pa vaksina komplet. Rindërtimin nuk po e bën ndonjë dorë e padukshme, por politika. Sot Shqipëria po del nga tuneli i pandemisë dhe po del shumë më shpejt se shumë vende të tjera”.

Rama u shpreh i bindur në fitoren e socialistëve dhe theksoi se do ta bëjë Shqipërinë një vend që çdo vajzë dhe djalë të ndjehet krenar.

“Po u them sot një gjë; kur ne ia dolëm të kurojmë plagët e tmerrshme të tërmetit. Nuk kishte njeri që do e besonte se Shqipëria do ngrihej kaq shpejt se shkollat e shtëpitë do ishin gati kaq shpejt. Kur ne ia dolëm të përballemi me armikun e padukshëm dhe nuk u rrëzuam, ia dolëm të shohim dritën si nuk e bëjmë dot ne Shqipërinë të ardhmen tonë? Si nuk e rrisim dot ne ekonominë? Si nuk e bëjmë dot ne Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm e agro-turizëm dhe një vend që çdo vajzë e djalë të ketë krenarinë që Shqipëria është shtëpia e vet, ku jo vetëm je krenar për historinë, për kulturën, traditën e familjen, por edhe për kushtet e kësaj shtëpie”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë