11 ditë në “Ferr”, nëna 27-vjeçare rrëfen momentet e tmerrit pas rrëmbimit nga ushtarët

Publikuar më: 16/4/2021, ora 22:25

11 ditë në “Ferr”, nëna 27-vjeçare rrëfen momentet e tmerrit pas rrëmbimit nga ushtarët

Publikuar më: 16/4/2021, ora 22:25

Ajo ishte duke shkuar në shtëpi, te fëmijët e saj, duke udhëtuar me një minibus në rajonin e Tigray-t në Etiopi, nga Mekelle në qytetin Adigrat.

Një postbllok i ushtrisë ndaloi minibusin dhe i kërkoi 27-vjeçares të zbriste, pasi sipas tyre, automjeti ishte i tejmbushur. Këto ishin momentet e para të tmerrit që zgjati 11 ditë për nënën e dy fëmijëve.

Sapo ajo zbriti nga mjeti, ushtarët e lidhën dhe ecën në këmbë drejt një kampi të vendosur mes shkurreve. Pas 11 ditësh dhune fizike, psikologjike dhe përdhunimi, 27-vjeçarja u la e lirë, por pa ndjenja. Për fatin e saj të mirë, disa fshatarë i erdhën në ndihmë duke e transportuar në spital. Mjekët thanë se 27-vjeçarja ishte në gjendje të rëndë. Me një këmbë të thyer e dëmtime të tjera në trup, kur mbërriti aty në mes të shkurtit. Për Reuters, mjekët treguan edhe dy gozhdë që i kishin hequr asaj nga trupi.

Edhe pse e shkatërruar totalisht, kërkesa e parë e nënës ndaj mjekëve ishte t’i jepnin një telefon të komunikonte me dy fëmijët e saj që i kishte lënë vetëm me gjyshen e tyre dhe me një sasi të kufizuar ushqimi. “Unë nuk e di nëse ata kanë vdekur apo janë ende gjallë. Armiku më shkatërroi jetën”, u tha ajo mjekëve, shkruan “Daily Mail”.

Historia e 27-vjeçares është një nga qindra raste të raportuara për përdhunim nga ushtarët etiopianë ose ata të Eritreas, pas shpërthimit të luftimeve në veri të vendit gjatë nëntorit të kaluar.

“Gratë po mbahen në skllavëri seksuale. Autorët duhet të dënohen”, tha për Reuters një zyrtar i lartë i shëndetit publik. Ky është rasti i parë që një zyrtar etiopian bën një akuzë për skllavëri seksuale gjatë konfliktit në Tigray. Që kur ka nisur konflikti ka pasur 823 raste të sulmeve seksuale në 5 spitale të këtij rajoni. Megjithatë, zyrtari që foli për Reuters ka thënë se kjo shifër mund të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, pranoi në një fjalim në parlament më 23 mars mizoritë dhe përdhunimet, duke thënë se autorët do të ndëshkoheshin. Megjithatë, ende nuk ka asnjë akuzë kundër ndonjë ushtari.

Në këtë konflikt është përfshirë edhe ushtria e Eritresë, e cila ka dhënë ndihmesën e saj në mbështetje të qeverisë qendrore të Etiopisë për të luftuar ish-partinë në pushtet të rajonit Frontin Çlirimtar të Popullit Tigray (TPLF).