Ndikimi i fushatës zgjedhore, përshpejtohen investimet për tremujorin, dyfishi i planit

Fushata zgjedhore ka dyfishuar investimet në tremujorin e parë të këtij viti, duke qenë disa fish më lart se shpenzimet e bëra në të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme, kur nuk ka pasur zgjedhje.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se nga janari deri në mars, janë investuar me financim të brendshëm në vepra publike 7.6 miliardë lekë, shifër mbi dyfish më e lartë se sa planifikimi prej 3.5 miliardë lekë i periudhës. Ky është niveli më i lartë i shpenzimeve kapitale në tre muajt e parë të vitit, që nga viti 2013, kur edhe atëherë kishte zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Në fakt, një situatë e ngjashme me paranë publike përsëritet gjatë çdo viti elektoral, pasi hapen shumë kantiere njëkohësisht.

Por teksa investimet me fondet e brendshme po ecin me ritme të shpejta, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për programin e rindërtimit, që vazhdon ecurinë e dobët, duke zgjatur edhe afatet e përfundimit sipas deklaratave të kryeministrit. Për rindërtimin e shtëpive, pallateve, shkollave, etj., në tre muajt e parë të vitit u shpenzuan vetëm 2.9 miliardë lekë, apo 24 milionë euro; kundrejt planit prej 4.6 miliardë lekësh të periudhës.

Të dhënat e detajuara të Ministrisë së Financave tregojnë se përveç investimeve publike, në fillim të këtij viti është përshpejtuar edhe rimbursimi i TVSH-së, me qëllim mos krijimin e borxheve të reja tek biznesi, si dhe shlyerjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura.