Nga karrigia me rrota në koleg të Messit

“Jam munduar që ta fshij si kujtim, pasi kanë qenë momente të trishta në jetën time. Shikoja shokët që argëtoheshin, ndërsa unë isha në karrige me rrota”.

Nga mosha 5 deri në 7 vjeç, Martin Braithwaite vuajti nga një çrregullim i ijes që mund ta kishte lënë edhe me deformim të femurit. Sot, luan me gjigantët e Barcelonës.

Në një intervistë për CNN Sport, sulmuesi i Barcelonës tregon se ndihej në siklet, pasi ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë.

“Asnjë fëmijë nuk dëshiron që ta ketë një vëmendje të tillë, isha në siklet gjithë kohës. Pavarësisht problemeve, nuk e humba shpresën. Ëndërroja të bëhesha futbollist profesionist”, tha Braithwaite.

Udhëtimin e tij nga karrigia me rrota në një fushë me Leo Messin, danezi e konsideron “të pabesueshëm”.

Pas aventurave jo të bujshme në Angli dhe Francë, Braithwaite kaloi në Spanjë, te Leganes, kur një ditë të bukur e telefonoi agjenti i tij për t’i thënë se Barcelona ishte “shumë, shumë e interesuar”.

“U gëzova, por kam shumë vite në futboll dhe e di që interesimi nuk do të thotë asgjë. Gjatë negociatave, as gruas nuk ia thashë që më kërkonte Barcelona. Ia fshihja mesazhet dhe telefonatat që merrja. Por, lajmet i kishte parë në celular dhe kur ia thashë unë, ajo e dinte tashmë”, tregon danezi.