Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
19 Prill 2021, 07:52 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Zgjedhjet e 25 prillit, ambasadorët e BE ndalen në Elbasan

Në sajë të zgjedhjeve parlamentare që mbahen këtë të diel ambasadorët e akredituar në Tiranë kanë nisur turin e takimeve me kandidatët nëpër qarqe. Sot, kryediplomati i BE-së, Luigi Soreca, së bashku me ambasadoren franceze dhe atë gjerman ndalen në Elbasan. Në agjendën e tyre listohet takimi me Taulant Ballën nga PS-ja, Gazment Bardhin nga PD-ja dhe Rudina Hajdarin nga Thurje. Qëllimi i këtij turi është prezantimi i kandidatëve dhe ftesa për të marrë pjesë në zgjedhje nga ana e atyre që mund të votojnë.

Projektligji i ri në Kosovë: Sekuestrim i pasurive të pajustifikuara. Reagon BE

Projektligji për konfiskimin e pasurive të pajustifikuara në Kosovë ka marrë udhë me kryeministrin Albin Kurti që e ka vënë në plan të parë luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në deklaratën e fundit, ai njoftoi se konfiskimi civil do iu marrë pasuritë çdokujt që nuk i justifikon ato, por BE është e shqetësuar në lidhje me këtë deklaratë dhe nëpërmjet zëdhënësit, Peter Stano i bëri thirrje qeverisë në Kosovë që të bëjë kujdes me këtë projektligj dhe të respektojë konfiskimin penal. “Respektoni standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën tuaj në lidhje me këtë pikë”, tha ai.

Integrimi i Maqedonisë së Veriut, ambasadori i BE: Të zgjidhet konflikti me Bullgarinë

Maqedonia e Veriut duhet të bëjë çmos që të gjejë një zgjidhje të konfliktit me Bullgarinë në mënyrë që një çast e më parë të nisë punën tryeza e përbashkët me BE-në për çështjen e anëtarësimit në union. Ambasadori i BE në Shkup iu bëri thirrje palëve të punojnë më shumë për të zgjidhur ngërçin që sikurse pohoi ai, nëse Shqipëria duhet të plotësojë disa kushte më parë, Maqedonia e Veriut nuk mund të mbetet peng i një çështje që mund të gjejë zgjidhje nëse punohet më fort. "Njerëzit dëshirojnë që të ecet para në rrugën e anëtarësimit. Por që të ecet para në situata si kjo, duhet që dyfish të rriten përpjekjet që të arrihet marrëveshje", tha David Geer.

Çështja Navalny, SHBA-ja kërcënon sërish Rusinë

Këshilltari i Presidentit, Joe Biden, për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan tha të dielën për rrjetin televiziv CNN se qeveria amerikane i ka thënë Rusisë se "do të përballet me pasoja" nëse kritiku i Kremlinit Alexey Navalni vdes në burg. "Ne i kemi bërë të ditur qeverisë ruse se ajo që i ndodh zotit Navalny në burg është përgjegjësi e tyre dhe se bashkësia ndërkombëtare do t’i vendosë ata para përgjegjësisë", tha zoti Sullivan për rrjetin CNN. Zoti Sullivan tha se në këtë drejtim po shqyrtohen një seri masash që do të rëndojnë mbi Moskën, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Max Verstappen “pushton” Imola-n

Max Verstappen fitoi garën e Imolës, duke u konfirmuar si kundërshtari i më i fortë i Lewis Hamilton në Botërorin e Formula 1. Holandezi i Red Bull bëri një nisje spektakolare nga vendi i tretë, duke parakaluar shokun e tij të skuadrës, Sergio Perez dhe kampionin Hamilton, pas një dueli të ashpër me britanikun. Shiu që ra para dhe gjatë garës solli shumë aksidente, mes të cilave edhe një dalje nga pista e Hamilton, përpara se Bottas dhe Russell të protagonizonin një aksident të frikshëm, që detyroi komisarët e pistës që të ndërprisnin garën për disa minuta. Pas rinisjes nga vendi i fundit, Hamilton arriti që të rekuperonte pozicione deri në vendin e dytë, ndërsa podiumin e plotësoi Lando Norris. Garë pozitive edhe për LeClerc dhe Carlos Sainz, dy pilotët e Ferrarit që u renditën në vendin e katërt dhe të pestë.

Inter e Napoli ndahen në paqe, Atalanta i merr vendin Juventusit

Përfundoi në Napoli ecuria e 11 fitoreve radhazi të Interit, me një barazim 1-1  kundër ekipit të Gennaro Gattusos, por që nuk mund të quhet aspak një hap pas në rrugëtimin drejt titullit në Serie A. Pjesa e parë foli më shumë për Interin, me raste të shpërdoruara nga Lukaku, edhe pse goli erdhi për napoletanët, ku një kros i Insigne shndërrohet në një gafe kolosale të Handanovic dhe veçanërisht De Vrij, që shtyn portierin e tij duke rrotulluar topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, insistimi i Interit konkretizohet me golin e bukur të Christian Ericksen, titullar dhe gjithmonë më i domosdoshëm për trajnerin Antonio Conte. Barazimi mban Interin gjithsesi në një distancë sigurie prej 9 pikësh nga Milani dhe 11 nga Atalanta që mundi 1-0 Juventusin duke i marrë dhe vendin e tretë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë