Peçi: Drejtuesit e kompanive shqiptare, optimistë për rritjen e bizneseve

2020 ishte një vit i vështirë për ekonominë globale dhe atë shqiptare si pjesë e saj, që u përball me krizën më të fortë të dy dekadave të fundit. Pandemia paralizoi biznesin në shumë sektorë dhe shkurtoi vendet e punës, vendosi në vështirësi buxhetin e shtetit dhe frenoi planet e investimeve publike dhe private. Ky vit që ka hyrë premton për mirë dhe të gjithë presin rimëkëmbje, veçanërisht biznesi, si agjenti kryesor ekonomik. 

Perceptimet e drejtuesve të kompanive për ekonominë post COVID dhe vizioni i tyre për t’u zhvilluar janë pasqyruar në sondazhin e Price Waterhouse Coopers. Një anketim shumë interesant i PwC, shoqëri “leader” në shërbimet e auditimit, si dhe konsulencave financiare, tatimore dhe ligjore.

Gjetjet e këtij anketimi u diskutuan në “A2 Business”, ku u hodh dritë për mënyrën se si drejtuesit e kompanive mendojnë se do të zhvillohet ekonomia, ajo globale dhe shqiptare. Janë 5000 drejtues kompanish të pyetur në të gjithë botën, mendimet dhe vizioni i të cilëve është përfshirë në këtë sondazh të Price Waterhouse Coopers.

Loreta Peçi, drejtuese e PwC Albania, u shpreh se “kompanitë shqiptare janë optimiste për rritjen e bizneseve”.

“Mbi 66% e drejtuesve lokalë besojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe 76% besojnë se në 12 muajt e ardhshëm do të rritet gjithashtu edhe biznesi i tyre. 80% besojnë se biznesi i tyre do të rritet në 3 vitet e ardhshme.Optimizmi është reflektuar edhe në numrin e punonjësve. Mbi 43% besojnë se numri i punonjësve do të rritet në kompanitë e tyre në 12 muajt e ardhshëm. 68% e drejtuesve besojnë se numri i punonjësve do të rritet në 3 vitet e ardhshme”, tregoi Peçi.

Sipas saj, në lidhje me perceptimin e risqeve, kompanitë shqiptarë shikojnë krizën shëndetësore si rrezikun më të madh: “Risku më i madh i perceptuar nga bizneset është kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia. 6 vite më parë, vetëm 9% e konsideronin rrezik një pandemi të mundshme. Element tjetër rreziku është edhe ndryshimi i sjelljes së konsumatorit, që del nga një pandemi. Edhe pasiguria në rritjen ekonomike përbën rrezik, pavarësisht se janë optimistë. Pra, duket një optimizëm i moderuar. Elementi i katërt është mungesa e punonjësve të specializuar”.

Në fund, Loreta Peçi nënvizoi se nga qeveria kërkohen 3 gjëra: “Që të nxjerrë në treg një fuqi punëtore të arsimuar, të ofrojë një sistem efikas tatimor dhe një sistem efikas infrastrukturor”.