Shehu: Sektori i teknologjisë së avancuar e ndjen mungesën e punonjësve të kualifikuar

Adrian Shehu, drejtues i kompanisë TCN, theksoi në “A2 Business” se “situata e pandemisë solli reduktim të punësimit, volumi i bizneseve u ul dhe si pasojë, bizneset që mendojnë se do të ketë rritje, po e shoqërojnë me rritje punësimi”.

“Ky optimizëm lidhet edhe me pritshmëritë e bizneseve, që janë të mëdha pas situatës pandemike. Rëndësi ka që besimi është i madh. Ringritja nuk do të jetë e lehtë, pasi bizneset shqiptare nuk e kanë pasur kulturën e bashkëpunimit ose të përpjekjeve për të gjetur sinergji dhe për të zhvilluar biznesin e tyre. Kemi pasur ndarje të bizneseve. Fakti që ringritja nuk do të jetë e lehtë, nuk do të thotë që nuk do të ndodhë. Bizneset shqiptare po ndërrojnë modelin, po ndërrojnë mendësinë dhe ky është një efekt pozitiv i pandemisë. Po ndërron mendësia e pronarëve të bizneseve, që të gjejnë mundësi bashkëpunimi. “Start up”-et japin rezultat 3-5 vitet e ardhshme, ama janë të lidhur me inovacionin. Bizneset tona kanë tendencë që të marrin benefite nga modele inovative që lidhen me “start up”-et”, u shpreh Shehu.

Sipas tij, “sektori i teknologjisë së avancuar, që kërkon njerëz me kapacitete, e ndjen mungesën e punonjësve të kualifikuar”.

“Ka tendencë largimi drejt vendeve të BE-së, për shkak të nivelit të ulët të pagave. Por, ka edhe raste pozitive, sidomos në fushën e zhvillimit të “software”, nënvizoi Shehu.