Agim Baçi: Njerëzve u duket normale që t’u blesh votën. Kjo më shqetëson më shumë sesa rezultati i zgjedhjeve.

agim baci 1100x620

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Agim Baçi, u shpreh për A2 se nuk është i zemëruar se PD-ja nuk erdhi në pushtet, “por jam i zemëruar që arsyetohet arroganca apo blerja e votës”.

“Unë e konstatova vetë në terren, nuk kishte lagje dhe nuk kishte të madh e të vogël që nuk fliste për blerjen e votës. Ndjeja keqardhje që miqtë e mi duhet të më takonin diku tjetër, pasi çdo lloj takimi vrojtohej dhe fotografohej. Nëse ne i hapim rrugë kësaj lloj kulture, krijohet besimi se po ishe i ndershëm, je kot. Duket sikur Edi Rama ka krijuar një sistem që nuk rrëzohet më me votë dhe njerëzve u duket normale që t’i blesh votën. Kjo më shqetëson më shumë sesa rezultati i zgjedhjeve”, deklaroi Baçi.

Kur u pyet mbi kërkesën e Bujar Nishanit, që kreu demokrat Lulzim Basha të japë dorëheqjen, Baçi tha: “Në një vend normal, kreu i opozitës mund të jepte dorëheqjen. Por, mua më shqetëson më shumë kultura që është krijuar. Zoti Nishani do të më pëlqente më shumë po të kishte folur në momentin kur u thyen rregullat e Komisionit. Tani të gjithë mund të bëjnë analizë dhe të bëjnë si të mençur”.