Ambasadori gjerman për 25 prillin: Kodi i ri kaloi me sukses, vendi ka nevojë për opozitë të fortë

peter zingraf 1100x620

 “Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë”. Këto ishin fjalët e ambasadorit gjerman Peter Zingraf në një deklaratë e shpërndarë në rrjetet sociale zyrtare.

“Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e qetë dhe thuajse kudo e paqtë. Fakti, që një numër i madh qytetaresh dhe qytetarësh shqiptarë dhanë votën e tyre, bën të qartë dëshirën për të bashkëvendosur. Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë”.

🇦🇱 | Mbi zgjedhjet e datës 25 prill Ambasadori Peter Zingraf deklaron: „Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e…

Posted by Ambasada Gjermane Tiranë on Wednesday, April 28, 2021

Sipas gjermanit, “procesi zgjedhor vijoi përgjithësisht pa fërkime, administrata zgjedhore në nivel qendror dhe lokal bëri një punë të mirë. Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblerjen e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme. Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve”.

Ambasadori nënvizoi rrugën  e mëtejshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Unë pres që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara. Përgëzoj Partinë Socialiste për fitoren. Qeveria e saj do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash. Po kështu përgëzoj edhe Partinë Demokratike, e cila ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë parlamentare si dhe për përfshirjen dhe kontributin e saj aktiv, për shembull në ligje dhe vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj“, ishin fjalët e tij.

Postimi i ambasadorit britanik

Urime për kryeministrin Rama erdhën edhe nga ambasadori britanik Duncan Norman, që nënvizoi pjesëmarrjen e votuesve pavarësisht masave kundër pandemisë, por edhe fushatën e kryer nga Partia Demokratike.