Freedom House: Në Shqipëri, rënie e demokracisë në të njëjtat nivele me vitin 2013

Në raportin vjetor të Freedom House, “Vendet në tranzicion”, Shqipëria shënoi përkeqësim në treguesit për shoqërinë civile dhe median e lirë. Vendi ynë vazhdon të jetë një demokraci hibride, apo në tranzicion, ndërsa indeksi i demokracisë ka rënë për të dytin vit radhazi, nga 3,82 në 3,75.  

Shtetet vlerësohen në një shkallë nga 1 në 7, ku 7 është niveli më i lartë i progresit demokratik. 

“Qeveria përfitoi nga pandemia për të shtypur të drejtat civile, mobilizimin e shoqërisë e kufizimin e lirive civile. Autoritetet treguan një sjellje përgjithësisht armiqësore ndaj aktivizmit civil, i dëshmuar gjatë bastisjeve dhe shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe përdorimit të forcës së tepruar kundër protestuesve. Viti përfundoi me një valë protestash kundër brutalitetit policor, që çuan në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm”, lexohet në raport.

Përkeqësimi i treguesit të lirisë së medias, sipas raportit, i faturohet retorikës shantazhuese ligjore ndaj gazetarëve të pavarur nga politikanët dhe gjithashtu intimidimit dhe përndjekjes së gazetarëve të akuzuar për përhapje paniku.

Freedom House thotë se klima politike në vitin 2020 mbeti e tensionuar: “Aktorët politikë brenda dhe jashtë Parlamentit punuan bashkë për të arritur konsensus mbi Reformën Zgjedhore. Konsensusi u arrit në 5 qershor të 2020 dhe u materializua me amendime ligjore në Kodin Zgjedhor. Por, Partia Socialiste në pushtet vijoi me ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Elektoral pa konsensusin e opozitës. Sipas një raporti të përbashkët të OSBE/ODHIR, ndryshimet kushtetuese binin ndesh me rregullat më bazike të ligjbërjes demokratike”.

Freedom House përmend gjithashtu “sjelljen e pazakontë” të presidentit Ilir Meta: “Presidenti u bë një faktor politik më aktiv në vitin 2020. Veprimet e tij ishin të pazakonta për një drejtues shteti, i cili, sipas Kushtetutës, përfaqëson unitetin e popullit. Në mars, Ilir Meta organizoi një manifestim antiqeveritar kundër kryeministrit Edi Rama. Më vonë, në vazhdën e opinionit të Venecias, Parlamenti rrëzoi akuzat për shkarkimin e Presidentit”.

Raporti vë në dukje korrupsionin dhe presionin e bizneseve ndaj qeverisë, si probleme të vazhdueshme. Dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3,25 dhe 2,75, i njëjti nivel si një vit më parë.