Garoi për herë të parë, Gledi Kryemadhi ngre akuza për manipulim të votave

Kandidati për deputet i Aleancës Demokracia e re, Gledi Kryemadhi, ngre akuza për manipulim votash. Në studion e Ditari në A2 CNN ai tha se janë 25 mijë vota të pavlefshme për ADR, përkundër 3300 të vlefshme. Sipas tij, raporti është 1 votë e vlefshme me 10 të pavlefshme, ndërkohë që ankesat do t’i bëjnë sapo të përfundojë numërimi i kandidatëve.

“Raporti është 1 me 10, një votë e vlefshme për ADR dhe 10 vota të pavlefshme. Kemi pasur vëzhgues dhe konstatimi është bërë në kohë reale. Pretendojmë 25 mijë vota të pavlefshme për ADR. Ne i njohim votuesit tanë emër e mbiemër. I kemi takuar personalisht dhe nuk na kanë zhgënjyer dhe këto vota ekzistojnë, por janë shpallur të pavlefshme. Ne presim që të mbarojë dhe procesi i numërimit të kandidatëve dhe pastaj po bëjmë ankesat e duhura”.

Këtë pretendim, Kryemadhi e bazon te fasha e votuesve të ADR që sipas tij ishte në moshë relativisht të re dhe nuk mund të gabonte në votim.

“Fasha e votuesve tanë është për të rinj, fasha e votuesve të moshës së tretë nuk ka qenë e jona, fasha e votuesve tonë është e re nëse do ishte mosha e tretë atëherë edhe mund të besohej. Kam takuar mbi 3500 persona duke i parë në sy, janë 25 mijë votues në të gjithë Shqipërinë. Ne i besojmë votuesve tanë, votat kanë dalë, por janë shpallur të pavlefshme, por do t’ia lëmë në dorë ekspertëve, boja e stilolapsit mund të ndryshojë, kanë dalë disa video që po shihen nga komisionerët. Jemi partia e vetme që ka më shumë vota të pavlefshme. Janë 3300 vota të vlefshme që është një turp. Nuk e di pse është ky sulm ndaj Aleancës Demokracia e Re”.

Po pavarësisht këtij rezultati, ai tha se nuk do të tërhiqet nga kjo rrugë, ndërsa falënderoi edhe elektoratin që e ka votuar.