Humbën thellë në zgjedhje, reagimi i parë nga LSI: Kohë për reflektim dhe për t’u ringritur

rama 36 1100x620

“Kohë për reflektim dhe për t’u ringritur”, e konsideron kandidati i LSI-së për qarkun e Vlorës, Luan Rama, humbjen e thellë në zgjedhjet e së dielës. Në reagimin e parë që vjen nga kjo forcë politike, Luan Rama nuk shfaq asnjë pendesë që kandidoi në Vlorë, ndërsa përcjell mesazhin e të gjithëve në LSI, që zjarri i ndezur të mos shuhet.

Mesazhi i Luan Ramës në Facebook

Unë e dua Vlorën:

KOHË PËR REFLEKTIM…

Ç’punë është bërë!

Gjithçka e nisur nga fillimi.

Ditë pas dite e zemër më zemër u bëmë shumë.

Dhe me sa shumë njerëz të mrekullueshëm pata fatin të punoj në Vlorë e gjithkund tjetër, nga Mifoli deri në Konispol.

Ata ishin energji dhe frymëzim, ishin mirësi, guxim dhe pozitivitet.

Të përkushtuar dhe solidarë.

Edhe pse rezultati i zgjedhjeve nuk është ai që prisnim dhe për të cilin punuam, ata të gjithë janë të njëjtët edhe mes lotëve të zhgënjimit, edhe mes mirësisë së dashurisë së tyre.

Asnjë peng që kandidova në Vlorë.

Asnjë mëdyshje për zgjedhjen për të qëndruar bashkë kundër të gjithëve që i patëm kundër, anipse ata kundër nuk ishin pak e çfarë nuk bënë të na përçanin, çfarë nuk sajuan e çfarë nuk derdhën rrugëve të Vlorës duke shpifur e trilluar ligësisht, duke ndërsyer natën e ditën gjithëfarë hijenash e çakejsh që nuk kanë instikt tjetër përveç të përdoren.

Sot qytetarët e Vlorës janë me mua, janë me të gjithë ne qëndrestarët e LSI-së.

Respekti dhe admirimi i tyre janë vota më e vlefshme, e prej detyrimit të mirënjohjes unë jam e do të jem në Vlorë.

Eshtë koha për reflektim, është koha për t’u ringritur.

Ky është mesazhi i lotëve dhe dashurisë së Monës, Junës, Anjezës, Inesit, Refit, Nikut, Edit, Morandit, Taulantit, të Filipit – Gavroshit tim të pa lodhur, Orionit të kudogjendur, Sonit të papërtuar, Vinit gjithmonë racional, Gjolekës përherë të matur e të vyer, Olsit të rajonit 4 që nuk dinte kurrë të pushonte.

Është mesazhi i të gjithëve që zjarrin e ndezur të mos e lemë të shuhet!

Vlora e meriton gjithë dashurinë dhe mirënjohjen, dhe unë e të gjithë ne qëndrestarët e LSI-së, ia kemi detyrim.