Kërkesat për dorëheqjen e Bashës, Nurellari: Mezi kanë pritur që të humbte, për të marrë hak

Pas humbjeve të opozitës në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të shumtë kanë qenë zërat brenda demokratëve që kanë kërkuar largimin e kreut të PD-së Lulzim Basha, duke e akuzuar si përgjegjësin kryesor për këtë dështim.

Por për analistin Adri Nurellari, ky është një veprim i paramenduar që tregon se mezi e kanë pritur humbjen e liderit të tyre, pa pritur certifikimin e rezultatit.

“Kanë të drejtën e tyre, por a është ky momenti për ta bërë këtë gjë? Fakti që erdhën kaq shpejt tregon që mezi kanë pritur të ndodhte ky dështim për të marrë hak ndaj liderit të opozitës. Ata janë njerëz të lirë dhe mund të mendojnë ç’të duan, por kjo ndodh me një logjikë të certifikimit të procesit zgjedhor. Ku do ngelen ata? Duket qartazi, më duken të paramenduara dhe mezi kanë pritur t’i thonë. Nëse do fitonte, do heshtnin”.

Sipas tij, këto deklarata vijnë nga njerëz që i përkasin të kaluarës së PD-së, të cilët janë pjesë e humbjes së saj dhe jo nga të rinj. Nurellari thekson se para se të fërkojnë duart për humbjen duhet të analizohet situata dhe kushtet, ndërsa shton se duhen shpërblyer ata që kanë marrë më shumë vota.

“Vijnë edhe nga njerëz që i përkasin të kaluarës së PD. Do kisha preferuar që të vinin nga rinj që janë sot në PD dhe jo nga funksionarë që kanë pasur poste qeveritare se edhe ata janë pjesë e humbjes së PD. Duhet reflektim i brendshëm, arsyet e rezultatit negativ dhe atij që ka pasur rezultatin më të mirë t’i jepet mundësi. Para se të fërkojnë duart njerëzit brenda PD-së, të analizojnë dhe situatën se ka ndodhur në kushtet ku çdo gjë ka qenë në dorë të qeverisë. Këto zgjedhje kanë sjellë një inovacion ku emrat e përveçëm i marrim vesh. Një pjesë e rezultatit varet nga puna në terren dhe duhen shpërblyer ata që kanë marrë më shumë vota. Një ndër shkaktarët kryesorë të rezultatit të PD-së është se persona të caktuar në zona të caktuara nuk ia kanë dalë që të frymëzojnë dhe bëjnë për vete”.

Për Nurellarin, e ardhmja e PD-së nuk vjen nga e kaluara, por duhet një reformim i saj në bazë të meritokracisë. Ndërsa vlerëson figurën e Bashës ai thotë se ekipi i tij nuk i nxori në pah disa aspekte pozitive të tij.

“Të mos kemi kthim tek e kaluara. Shoh figura të PD-së të pakënaqura. E ardhmja e PD-së nuk vjen nga e kaluara, por ndryshimi nuk vjen vetëm nëpërmjet liderit, strukturave dhe personazheve kryesore të partisë. Më shumë se emra të përveçëm që janë subjektiv duhet parë rezultati, që nëse reformohet duhet ta bëjë në bazë të meritokracisë. Me sa e njoh, Basha është ndër më të mirët, por më vjen keq që Basha dhe ekipi i tij nuk nxori në pah disa aspekte pozitive si komunikimi ndërpersonal, ka elemente dinjitoze dhe është shumë i gjendur dhe i dashur. Por ajo që mendoj unë është që nëse do bëhet reformë në PD, duhet të bëhet në bazë të meritës. Duhet një mekanizëm i brendshëm që në bazë të performancës edhe të shpërblehet dhe do të duhet të reflektojnë demokracinë edhe brenda vetes. PD-ja nuk ka mekanizëm të karrierës së brendshme”.

Humbjen e opozitës në zgjedhje, Nurellari e sheh edhe se nuk ka qenë ofertë bindëse te sistemi zgjedhor. Sipas tij, ka largim nga demokracia dhe rrëshqitje në autoritarizëm.

“Unë mendoj që zgjedhjet janë të humbura, më befason pak vota, se kisha hamendësuar që pavarësisht nga oferta e opozitës qytetarët do përdornin votën për të ndëshkuar abuzimet e qeverisë, po shoh një largim nga demokracia dhe rrëshqitje në autoritarizëm në shumë vende dhe Shqipëria po i ngjan më shumë vendeve që kanë çuar përqendrimin e pushtetit në një dorë. Nuk ka qenë ofertë bindëse për qytetarët, problem sistemi zgjedhor që është miratuar me konsensus, është dëshmia më konkrete LSI me PSD, numri i votave për LSI është më i madh për një mandat për LSI-në se sa për PSD, partia që merr më shumë, merr edhe më shumë mandate”.

Për qeverisjen Rama, në këtë mandat të tretë, Nurellari nuk ka pritshmëri se do të sjellë diçka të re.

“Unë nuk mendoj që Rama do të sjellë diçka të veçantë, do të shpresoja për të mirën e Shqipërisë, që qeveria e ardhshme të jetë më e mirë se e kaluara. Shqipëria është përkeqësuar në shumë nivele. Do të isha shumë i gëzuar nëse na befason, por nuk pres”.