Kurti refuzon takimin me Vuçiç, dialogu Kosovë-Serbi nuk rifillon më 11 maj

KR VIZITA KURTI BE frame 1937 1100x620

Përpara se të hynte në godinën e Komisionit Europian, dha një deklaratë shumë të rëndësishme. Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se më 11 maj nuk do të rifillojë dialogu Prishtinë-Beograd, duke refuzuar kështu dhe takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

 “Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Ajo çka mund të konfirmoj është se do të vij në Bruksel për ndonjë drekë ose darkë pune të konfirmuar nga Borrell, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kurti.

Në vizitën e parë zyrtare në kryeqendrën europiane në Bruksel që prej nisjes së detyrës, Kurti u prit fillimisht nga presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.

Kryeministri i Kosovës i la dhe një mesazh në librin e përshtypjeve. Më pas palët u ulën në tryezë për të diskutuar një sërë temash duke nisur nga dialogu, vaksinat anti-covid e deri tek liberalizimi i vizave. Një reagimi pati edhe për dokumentin që propozon ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Në selinë e Komisionit Europian Kurti takoi një sërë eurokomisionerësh, ndërsa më herët u prit edhe nga kryeministri i Belgjikës, Aleksandër De Croo. Shefi I qeverisë së Prishtinës do të qëndrojë edhe gjatë të enjtes në Bruksel, ku do të takohet me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.