“Luftë” mes kandidatëve për mandatet, Xhafaj i dyti më i votuar në Tiranë, Basha i merr vendin Këlliçit

Klikoni këtu për të ndjekur përditësimet minutë pas minute.

Pas përfundimit të numërimit të votave për partitë, prej mbrëmjes së të martës ka nisur numërimi i votave preferenciale për kandidatët.

Deri në orën, 16:00, në qarkun e Tiranës, i cili ka edhe më shumë mundësi që kandidatët të kalojnë herësin, në listën e PS-së, në vend të parë renditet Belinda Balluku, e cila deri tani ka arritur të sigurojë 5055 vota.

Megjithatë, këto vota pak rëndësi kanë për të, pasi ajo renditej në vendin e 10 në listën e deputetëve dhe është automatikisht e sigurt në parlamentin e ardhshëm, pasi PS ka siguruar 18 deputetë. Interesante pritet të jetë gara e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili duhet të kalojë herësin, pasi renditej i 23-ti në listë. Megjithatë, deri tani ai ka arritur të marrë 2615 vota, duke qenë i dyti më i votuar.

Në radhët e PD-së në kryeqytet, listën e kryeson Lulzim Basha me 2259 vota, vetëm 6 më shumë se Belind Këlliçi që renditet i dyti.

Te LSI-ja, lista kryesohet nga Përparim Spahiu me 544 vota, e dyta renditet Floida Kërpaçi me 427 vota, ndërsa e treta renditet kryetarja e kësaj partie Monika Kryemadhi me 276 vota. Megjithatë, Kryemadhi nuk e rrezikon mandatin, duke qenë se dy kandidatët që aktualisht janë të parët e kanë të vështirë të arrijnë herësin prej 13900 votash.

Shfletoni galerinë për të parë të gjitha votat preferenciale deri tani.