Ristani: Basha që na udhëhoqi dy herë në humbje, nuk ka shans që herën e tretë të na udhëheqë në fitore

Arben Ristani është një tjetër përfaqësues i Partisë Demokratike që ka kërkuar dorëheqjen e kreut të kësaj partie, Lulzim Bashës.

Sipas tij, Basha nuk ka asnjë shans që herën e tretë të udhëheqë opozitën në fitoren e zgjedhjeve.

“PD humbi në këto zgjedhje. Demokratët janë krenarë se kanë duruar me dinjitet një opozitë të vështirë 8-vjeçare. Kanë zhvilluar me vitalitet një betejë të fortë opozitare. Garuan dhe menaxhuan një proces zgjedhor nga i cili, pavarësisht se nuk fituan, treguan se PD është parti e madhe, e dashur dhe e mbështetur fuqishëm nga shqiptarët. Kjo humbje do të thotë edhe 4 vjet të tjera opozitë. Manipulimet zgjedhore të kundërshtarit do të kenë me siguri pasoja ligjore, por beteja kundër tyre nuk e ndryshon faktin se tashmë ka filluar një 4-vjeçar tjetër opozitë. Është momenti dhe kemi nevojë për reflektim. Lulzim Basha që na udhëhoqi dy herë në humbje të pushtetit qendror dhe atij lokal, nuk ka asnjë shans që herën e tretë të na udhëheqë në fitore. Humbja erdhi sepse ai bëri gabime tashmë të njohura dhe të përsëritura, në mënyrën se si drejtoi opozitën dhe për më tepër nuk i bindi shqiptarët se ai do të ishte për ta kryeministri i duhur”, shkruan Ristani në Facebook.

“Politika është moral. Mbi të gjitha te ky moral është bazuar edhe tradita e PD. Kur humb zgjedhjet në mënyrë të përsëritur, tërhiqesh me dinjitet dhe ndihmon partinë të rimëkëmbet. Kështu mendoj se duhet të ishte një sjellje me moral në një Parti Demokratike dinjitoze. Ndryshe vazhdon e mban dyqan për përfitime personale”, shtoi Ristani.