Alibeaj kundër dorëheqjes së Bashës: Zgjedhjet, test për drejtësinë

Blerja e votës ka deligjitimuar procesin zgjedhor dhe gjithçka do të vendoset në bazë të përcaktimit të votës së shqiptarëve. Këtë përgjigje dha kandidati fitues i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Enkejed Alibeaj, kur u pyet për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve. I ftuar në Ditari në A2 CNN ai tha se pas fakteve të dokumentuara dhe denoncuara, hapi i dytë do të jetë testimi i sistemit të drejtësisë për procesin zgjedhor të cilin e quajti një masakër elektorale. Sipas tij, kjo është një betejë për të cilën do të luftojnë me çdo mjet për të lexuar drejt votën e shqiptarëve.

“Është një nga çështjet më delikate që përcakton mbarëvajtjen e jetës politike dhe institucionale të një shteti, është ky moment dhe ne kemi pjekurinë për të qenë të ndershëm me veten dhe për të ndërmarrë hapat radhë pas radhe. E para është ajo që shqiptarët kanë parë, e dyta është e udhës të testojmë sistemin e drejtësisë, jo vetëm të brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar. Blerja e votës më shumë se kaq për të deligjitimuar procesin zgjedhor. Zgjidhja në fund do të jetë politike. Ne kemi maturinë dhe vendosmërinë për t’ua bërë të qartë shqiptarëve se vota e tyre do të lexohet dhe nuk do të nëpërkëmbet. Është betejë, janë ekzekutuar disa akte të kësaj beteje; fushata parazgjedhore, ndryshimi i ligjit, dokumentuan çfarë ndodhi dhe shifrat e deklaruara deri më tani që janë 6% të votave të pavlefshme, dokumentimi, testimi dhe kur shqiptarët të jenë të bindur që vota e tyre është blerë, ne do të presim. Gjithçka do të vendoset në bazë të asaj se si do të përcaktohet vota shqiptarëve. Ne me çdo kusht dhe mjet do bëjmë të mundur që vota e tyre të lexohet drejt”.

Sipas tij, dimensioni i krimit elektoral është i paimagjinueshëm dhe tha se opozita do të vazhdojë betejën deri sa autorët e këtij krimi të marrin ndëshkimin që meritojnë.

“Dimensioni i krimit elektoral është i paimagjinueshëm, i gjithë krimi dhe paraja që janë hedhur në luftë, si mes një regjimi dhe qytetarëve. Jemi me një proces të dëmtuar dhe një rezultat jo legjitim, kjo është betejë me regjimin që ka kryer vetëm aktet e para të tij dhe ne do vazhdojmë. Hapi i parë testimi i sistemit të drejtësisë dhe agjencive që do duhet të ndërmarrin të qartësojnë dhe lexojnë votën e shqiptarëve dhe të ndëshkojnë autorët e krimeve elektorale. Është e papranueshme nga kushdo jo vetëm nga ne që shqiptarët të jetojmë në një vend që të ndjekin vitrinat seç ndodh me krimin zgjedhor. Stop! Sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar”.

Sa i takon largimit të Bashës nga drejtimi i partisë Demokratike, Alibeaj  u shpreh kundër dorëheqjes së tij, me argumentin se ai është i vetmi që mund të përballet me regjimin e Ramës.

“Nuk po kërkohet nga ata demokratë se deri dje nuk i pashë të ishin krah 620 mijë demokratëve që bënë që të vinte ky lloj rezultati. Kjo është një betejë. Sot i vetmi që është më shumë i interesuar që ta heqë nga përballja që ka është Edi Rama. I vetmi i cili mund të përballet me regjimin është Lulzim Basha. Shqiptarët nuk e kanë votuar Ramën, por i ka blerë, ishin 620 mijë shqiptarë që i rezistuan blerjes presionit sepse besuan te ndryshimi dhe te Basha”.

Marrjen e 6 mandateve në qarkun e Fierit, Alibeaj e quan historike, ndërsa thekson se qytetaria e këtij qarku la jashtë fosilin e fundit komunist, Gramoz Ruçi.

“Më në fund në atë qark ka ndodhur që gjithë lista e PD-së ia doli që, bashkë me qytetarët, të linin jashtë Gramoz Ruçin, fosilin e fundit komunist. Bashkimi i qytetarisë në Fier la jashtë Ruçin, një pjesë e madhe e PD-së vijnë nga pjesa e të përndjekurve politikë, është përplasje mes ideologjive, kampeve dhe konstatova në atë qark zgjimin e qytetarisë që nga pushteti është lënë i nëpërkëmbur dhe pa dinjitet, i konsideruar që mund të votonte pa arsyetime dhe logjikë, këtë të majtë që ka pësuar tronditjen më të madhe”.

Për Alibeajn, rezultati real në Fier do të ishte ishte 8, 7,  1, por për shkak të sistemit dhe trukut ligjor të bërë nga PS-ja, u penalizuan në këtë qark me 9 mijë vota të pavlefshme.

“Sistemi i ri i panjohur, i cili kishte dy sfida; sfidën me regjimin dhe tjetra një lloj gare e shëndetshme brenda listës sonë. Në këtë lloj të panjohure do të duhej që dikush të mbante fort limitet e moralit të barrës së brendshme. Më ra mua në këtë rast dhe besoj që ia kam arritur. Sot e rëndësishme është që në total ai rezultat në Fier, ku për pak vota do kishim marrë edhe mandatin e 7 u arrit me bashkimin dhe ndërgjegjësimin fierak, duke tejkaluar ndasitë.

Unë jam për sistemin mazhoritar, por siç erdhën punët, kur kushtetuta e kodi u ndryshuan në mënyrë të njëanshme, ne ishim dakord për lista të hapura. Truku ligjor i bërë nga PS duke bërë fletën e votimit me numra na solli neve në Fier mbi 9 mijë vota të pavlefshme. Rezultati real do të ishte 8, 7, 1”.