Alket Hyseni: Ishte fitore historike për PS-në dhe shqiptarët

Alket Hyseni, ish-deputet i Partisë Socialiste, komentoi në “Ditari” në A2 rezultatet e zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Edhe pse nuk isha kandidat, e përjetoj me emocion gjithmonë fushatën. Mendoj se ishte fitore historike për Partinë Socialiste dhe shqiptarët. Formula e re mendoj se ka funksionuar. Po të shikoni, më shumë vota kanë marrë kandidatët e “listës së sigurt”, por figura si Fatmir Xhafaj dhe Luçiano Boçi, që e kaluan, tregojnë se sistemi funksionoi në mënyrë të përkryer”, tha Hyseni.

Në lidhje me opozitën, Hyseni u shpreh: “Përtej emocioneve të momentit, humbja do të kapërdihet. Humbja duhet pranuar me dinjitet dhe nuk duhet parë si humbje, por si një vlerësim momental. Do të kenë mundësi pas dy vitesh në zgjedhjet lokale dhe në zgjedhjet parlamentare pas 4 vitesh, që të performojnë më mirë, në të mirën e vendit. E rëndësishme për ne është të gjejmë një bashkëpunëtor jo për qeverisje, por për të mirën e vendit. Ka nevojë gjithmonë për reforma përtej një mazhorance, sado e madhe të jetë ajo. Gjithmonë është bashkëpunuar me opozitën, në aspekte integruese sidomos”.

Sa i përket Presidentit Ilir Meta, Hyseni theksoi: “Deklaroi vetë që nëse Rama merr 71 mandate, unë dorëhiqem. Nuk na shqetëson Ilir Meta, por institucioni i Presidentit, që është kthyer në ikonë të imazhit të keq të vendit, në një foltore ku vetëm hidhet baltë ndaj Shqipërisë. Në këtë aspekt, po konsultojmë procedurën dhe po mbledhim prova të shkeljeve flagrante që ka bërë gjatë fushatës. Më pas, do të dilet me vendimmarrje nga grupi parlamentar i PS-së”.