E joshën duke i premtuar vaksinë kundër Covid-19, e përdhunojnë

Bota vijon të vuajë nga pandemia, por aktualisht situata më e rëndë është në Indi, aty ku me mijëra persona ndërrojnë jetë çdo ditë të prekur me koronavirus.

Në këtë situatë, kërkesa për vaksina është tejet e lartë dhe ka bërë që shumë persona ta shfrytëzojnë. Një rast i rëndë është raportuar së fundmi nga mediat. Një vajzë është përdhunuar në grup nga disa persona, pasi e kishin joshur atë se do t’i siguronin një vaksinë ndaj koronavirusit.

Dy persona të identifikuar si Rocky dhe Montu u takuan me vajzën në një qendër shëndetësore në qytetin Patna në Indi, i cili është më i godituri nga koronavirusi.

Pasi e bindën vajzën se do t’i siguronin asaj një vaksinë, dy personat e çuan atë në një shtëpi të braktisur ku e përdhunuan.

Më pas, në një gjendje të rëndë, vajza arriti të shkojë në shtëpi dhe tregoi për tmerrin që kishte kaluar. Prindërit njoftuan menjëherë policinë, e cila zbardhi ngjarjen, duke vënë në pranga dy autorët.