Harxhi: Largimi i Bashës është i pashmangshëm për ringjalljen e PD. Hapa të tjerë në ditët në vijim

 “Largimi i Lulzim Bashës është i pashmangshëm. PD duhet ringjallur dhe opozita duhet të bashkohet”. Është ky qëndrimi i ish-zëvendësministres së jashtme, Edit Harxhi, pas humbjes së opozitës në zgjedhjet e 25 prillit. Në studion e Ditari në A2 CNN ajo tha se kreu demokrat duhet të mbajë përgjegjësi jo vetëm për votën e mbi 620 mijë qytetarëve, por edhe për të gjithë shqiptarët. Sipas saj, Basha duhet të ngrihet në nivelin perëndimor të përgjegjësisë.

“Basha duhet të mbajë përgjegjësi për votat e 620 mijë qytetarëve. Dorëheqja është akt moral që çdokush e ndjen dështimin. Basha nuk e ndjen përgjegjësinë para elektoratit të djathtë dhe qytetarëve se këtu nuk është në pikëpyetje fati i elektoratit të djathtë, por i gjithë qytetarëve shqiptarë. Ai që është perëndimor dhe të tregojë përgjegjshmëri. PD-ja është e të gjithë shqiptarëve ai duhet të mbajë përgjegjësinë të ngrihet mbi nivelin perëndimor që ka”.

Duke e konsideruar të pashmangshëm largimin e Bashës nga drejtimi i PD, ajo thotë se në ditët në vijim do të merren hapa të tjerë pasi janë qindra demokratë të zemëruar.

“Kërkesa për dorëheqje nuk mbetet te firmëtarët. Basha duhet të kuptojë që përgjegjësia është e tij për humbjen, sigurisht edhe strukturat. Se çfarë do të ndodhë do t’ia lëmë ditëve në vijim. Jam e sigurt që do ketë hapa të tjerë. Ne do të vazhdojmë të ngulmojmë, janë qindra demokratë që kanë shpërthyer në rrjete sociale këto ditë. Largimi i Bashës është i pashmangshëm. PD-ja duhet ringjallur ideologjikisht dhe funksionalisht. Nëse Basha dorëhiqet duhet të japë dorëheqje të parevokueshme”.  

Humbjen në zgjedhje të Partisë Demokratike, Harxhi e shikon edhe për shkak të përçarjes së të djathtës dhe derës së mbyllur nga Basha. Dhe këtu ajo sjell në vëmendje bashkimin historik në vitin 2005 nga Berisha, i cili mblodhi të gjitha grupet e interesit.

“Të gjitha forcat duhet të ishin mbledhur aty nuk duhet të kishim parti të vogla që kishin dalë nga PD-ja duhet të kishim elementet më të mira dhe profesionistët e terrenit. Kjo ishte një derë e mbyllur, ftesat nuk janë individuale. Ftesat bëhen në një grupim, ngrihen alternativat për një bashkim të mundshëm. Bashkimi është për vlerat. Ne kemi pasur eksperiencën historike të bashkimit në 2005 Berisha i mblodhi nga të gjitha, sikurse dhe dorëheqje historike. Basha ka probleme të intimidimit personal nga shumë personalitete në PD. Ka pasur shumë njerëz që ia kanë kërkuar Bashës bashkimin, por kemi hasur në veprim refraktar”.

E pyetur se cila do të jetë alternativa më e mirë nëse Basha dorëhiqet nga drejtimi i partisë, Harxhi thekson se kjo betejë bëhet për ringjalljen e besimit të qytetarëve. Sipas saj, në PD duhet të garë, pasi nuk ka.

“Një parti e djathtë nuk është individi, por një grup njerëzish dhe kjo është e veçanta jonë, ne punojmë në komunitet dhe ky komunitet është anëtarësia e PD-së. Kjo betejë nuk bëhet për PD-në, por për qytetarët, por nëse ne nuk ringjallim besimin e qytetarëve nëpërmjet një opozite më të fortë, ne duhet të ndërtojmë shtëpinë tonë që t’i kthejmë besimin qytetarëve. Ne duhet të marrim përgjegjësinë e humbjes para gjithë shqiptarëve, u humbëm shpresën nuk e kuptoj sa e vështirë është ta marrësh këtë përgjegjësi u them kolegëve hajde të punojmë bashkë. Duhet të ketë garë. PD nuk ka garë. Nuk mund të shkojmë me; ngri shkri”.

Bashkëpunimi me Ramën do të ishte shkatërrimtar për Shqipërinë, thekson Harxhi. Sipas saj, Rama me një rival si Basha do të fitojë pafundësisht.

“Bashkëpunimi me Ramën do ishte shkatërrimtar për Shqipërinë. Është diversion i pastër politik për t’i bërë ofertë PD-së në momentin më të dëshpëruar. Rama është shumë komod me Bashën ai është i qetë, se me një rival si Basha do të fitojë pafundësisht”.