Krasniqi: Disa nga më të votuarit nuk i njeh asnjë, kanë më shumë vota se elita e shoqërisë

Analisti Afrim Krasniqi deklaron se disa persona që kanë thyer herësin, janë figura krejtësisht të panjohura në PS dhe në politikë.

Sipas Krasniqit, në Parlament po futen disa emra pa kontribute, por që kanë miq ose lidhje familjare me njerëz të fuqishëm, dhe kanë lënë pas emra të njohur.

“Gjithë media sot po kërkon CV e një nga tre njerëzve më të votuar në Shqipëri dhe nuk e di kush është ai. Imagjino si ndihen mijëra njerëz, sukses i madh historik, kemi bërë zgjedhje por kush na ka shkuar në Parlament? Janë ca që nuk i njohim. Ku i kanë marrë votat? Ja rreth Tiranës, i kanë gjetur një mik, është çuni i filanit, ka lidhje me filanin dhe ka siguruar më shumë vota se le të themi pjesa elitare e shoqërisë.

Aty njerëzit e kuptojnë që ky vend ka prekur fundin. Qytetarët që kanë përgjegjësi qytetare nisin dhe reflektojnë, në PS, PD, dhe çdo parti.

Deklarata e zotit Gogu që nuk e njoh kandidatin është domethënëse, është njeriu që ka marrë vota por në PS, në media dhe në politikë nuk e njeh njeri. Ne po e dërgojmë në parlamentin që do votojë reforma për të fut vendin ne BE. Nuk është vetëm ai, ka një listë që është një prerje e qartë. Të gjithë bodigardët, nipat dhe anëtarët e familjes të bosëve të mëdhenj të Shqipërisë, përfaqësuesit e forcave speciale kanë dalë shumë mirë me rezultate votimi. Doktorët kanë dalë shumë keq. Ka një problem me shoqërinë. Çomo është njeri pozitiv, akuza që iu bë është se u përdor gjatë pandemisë nga qeveria por është një doktoreshë që ka bërë CV e vetë, e ka bërë me jetën e vet.”, u shpreh Krasniqi.