Kumbaro: Modeli i LSI doli nga skena në Gjirokastër, ishte i gabuar për të rinjtë

Fituesja e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, e konsideron të rëndësishme daljen nga skena politike në Gjirokastër të Lëvizjes Socialiste për Integrim. E ftuar në “Dita jonë” ajo tha se modeli i LSI-së ishte i pashëndetshëm për të rinjtë që duan të futen në politikë dhe në dëm të demokracisë. Dhe kjo, sipas saj, është më e rëndësishme se procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

“Më shumë se presidenti doja të flisja për LSI-në, si organizatë politike se nuk mund ta quaj parti. Se në Gjirokastër nuk mori asnjë mandat, as me emrat e përveçëm të listës në qarkun e Gjirokastrës. E quaj të rëndësishme që modeli politik i LSI-së të dalë nga skena. Në Gjirokastër, modeli i LSI-së ishte i pashëndetshëm në dëm të demokracisë dhe i gabuar për të rinjtë që duan të futen në politike, e quaj të mirë që u shkri ai model. Është e vetmja mënyrë sesi nuk duhet bërë politikë. Nuk më duket e rëndësishme për presidentin, por të rinjve t’u jepet një model”.

Sa i takon marrjes së 3 mandateve të PS-së në qarkun e Gjirokastrës, Kumbaro tha se ky ishte synimi dhe bindja, pasi gjatë gjithë fushatës, theksoi ajo, “punuam që asnjë votë të mos shkonte në drejtim të gabuar”.

“Kishim një synim tjetër për të marrë vota të PS-së sa të kishim 3 mandate, ky ishte angazhimi. Në asnjë ditë të fushatës sime ku unë të dal me numrin tim në listë dhe unë jam si Shën Thomai dua të prek terrenin vetë. Unë nuk kam kërkuar votë për vete, por për PS, është realiteti si kandidatë bëmë ndarje të qarkut. Në Gjirokastër, ne jemi të njëjtët që kemi qenë në 2017 dhe zgjodhëm me vetëdije të ishim në të njëjtin qark dhe Çuçi të vendosej i treti dhe të deklaronim publikisht një objektiv jo vetëm të PS. Ishim shumë të bindur që ai mandat merrej se kemi qenë në kontakt me popullin e banorët dhe kjo u shoqërua me punë gjatë fushatës për të mos lënë asnjë votë në drejtim të gabuar”.