Vaksinimi në Shqipëri, në radhë për dozën e dytë, të rreshtuar edhe të moshuarit që nuk janë vaksinuar

Fushata elektorale përfundoi dhe tashmë ka rinisur në mënyrë më të përshpejtuar edhe fushata e vaksinimit. Në sheshin “Skënderbej” ka shumë qytetarë e të moshuar që ende nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti-covid.

Disa mosbesues deri tani nga vaksina kineze, disa në pamundësi shëndetësore dhe një pjesë tjetër prisnin uljen e moshës, këto janë disa nga arsyet e listuara nga ta.

Punonjësit e shërbimit taksi janë një prej kategorive të zhgënjyera nga mosvaksinimi. Ata duhet të presin zbritjen e moshës si të vetmen mundësi vaksinimi.

Paralelisht me personat që po vaksinohen me dozën e parë, janë rreshtuar edhe qytetarët që kanë ditën për të marrë dozën e dytë. Thonë se ndihen më të mbrojtur dhe besojnë te vaksina.

Që nga nisja e këtij procesi janë vaksinuar rreth 435 mijë qytetarë. Deri në fund të qershorit autoritetet shqiptare synojnë vaksinimin e gjysmë milioni shqiptarësh.