Homazhet tek të rënët për liri, Osmani: Dëshmorët tanë ngritën themelet e shtetit

E premtja ishte ditë homazhesh për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Fillimisht vizitoi kullën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, në përkujtim të 22-vjetorit të rënies së tij dëshmor në luftën ndaj forcave pushtuese serbe.

 “Ai e dëshmoi gjatë rënies së tij se sa i lartë ishte çmimi i lirisë që e gëzojmë. Jemi krenar për veprën dhe shembullin e tij”, deklaroi Osmani.

Më pas, presidentja u zhvendos në kompleksin memorial të dëshmorëve në Marinë, e shoqëruar dhe nga kryetari i bashkisë, Skënderaj, Bekim Jashari, dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

 “Po e nderojmë heroizmin e gjithë dëshmorëve të UÇK-së, atyre që e bënë bazamentin dhe themelet e shtetit tonë të pavarur”, vijoi ajo.

Bekim Jashari, kryetar i bashkisë Skënderaj, deklaroi se “këtë amanet të dëshmorëve mund ta realizojmë vetëm të bashkuar, unifikuar dhe duke zhvilluar dhe ndërtuar vendin tonë”. Ata nderuan edhe dëshmorët dhe martirët në fshatin Vërboc.

 “30 prilli është një ndër datat më të dhimbshme të historisë së Kosovës. Është dita kur rreth 300 qytetarë tanë kanë rënë. U vranë mizorisht dhe barbarisht nga forcat serbe”, tha Osmani.

 “Po bëjmë nderime në kujtim të komandantit në brigadën 114 Ilaz Kodra, si dhe 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve që kanë rënë më 30 prill. Kujtimi për ta qoftë i përjetshëm”, vijoi Ramiz Lladrovci, kreu i bashkisë Drenas.

Ilaz Kodra, i cili ra në mënyrë heroike 22 vite më pare në një betejë ndaj ushtrisë serbe, ka luftuar së bashku me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e një sërë figurash të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.