I vuri zjarrin rajonit të policisë, gjobitet me 12 milionë dollarë

Një person është urdhëruar që të paguajë 12 milionë dollarë për rolin e tij në zjarrvënien te rajoni i policisë në Mineapolis, gjatë protestave të majit të kaluar, pas vrasjes së George Floyd.

Gjoba për 23-vjeçarin Dylan Shakespeare Robinson, i cili pranoi fajin për zjarrin, do të shoqërohet edhe me 4 vite burgim.

Avokati i të riut tha se “nuk ka shans” që klienti i tij të paguajë ndonjëherë këtë gjobë.

Në maj të vitit 2020, mijëra persona u dyndën në rrugët e Mineapolisit për të protestuar për vrasjen nga policia të George Floyd. Sipas prokurorëve, Robinson i vuri flakën një molotovi, përpara se një person tjetër ta hidhte shishen brenda rajonit dhe të merrte flakë e gjithë godina. Por, videot e xhiruan 23-vjeçarin edhe duke ndezur zjarr brenda godinës.