Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit

Presidenti Ilir Meta u shpreh i bindur se do të vijojë të qëndrojë në postin e Presidentit të Republikës deri më 24 korrik 2022, por Partia Socialiste duket se ka nisur tashmë procedurat për shkarkimin e tij.

Burime për A2 thanë se sot ka mbërritur një mesazh në celularët e deputetëve socialistë, ku thuhet mes të tjerash se PS-ja ka vendosur të iniciojë procedurën e shkarkimit të Presidentit.

“Bazuar ne disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur të iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për këtë qëllim, ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës së Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit”, lexohet në mesazh.