“Po poshtëron Kosovën, dosjen për dialogun e ka në zyrë”, opozita kritikon Kurtin

kurti 4 1100x620

Në Bruksel u ankua se nuk ka marrë shumë informacione nga paraardhësi për dialogun me Serbinë. Por Lidhja Demokratike e Kosovës pretendon se një dosje e plotë dhe e detajuar, me 29 faqe, është lënë nga Avdullah Hoti në kryeministri për pasuesin e tij, Albin Kurti.

“Unë kam biseduar me zotin Hoti dhe ai më ka dëshmuar dhe bindur që ka dorëzuar dosje të plotë dhe të detajuar për bisedimet me Serbinë dhe të gjitha çështjet që janë në proces.”, u shpreh Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar i LDK.

Të njëjtin qëndrim ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

 “Z. Kurti e ka dokumentin të hartuar me detaje me të gjitha pozicionet për tema në kryeministri, veç duhet me lyp.”

Për Partinë Demokratike të Kosovës, kryeministri po turpëron vendin.

“Çdo dokument, marrëveshje është e arkivuar në arkivat e Republikës së Kosovës. Të poshtërosh shtëpinë tënde deri në atë formë është e papranueshme.”, u shpreh Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar i PDK.

LDK nuk pranoi të komentonte deklaratën e Kurtit lidhur me konsultimet me opozitën para rinisjes së dialogut me Serbinë, ndërsa nga PDK theksuan se nuk kanë marrë ende asnjë ftesë zyrtare për takim me kryeministrin. Ata kërkuan më shumë transparencë lidhur me negociatat me Serbinë dhe që shefi I qeverisë të raportojë për gjithçka para dhe pas takimeve lidhur me dialogun.