Shtrëngohen liritë e Hong-Kongut, “veto” kineze për hyrjet dhe daljet e çdo personi nga metropoli

hong kong 1100x620

Kina po shtrëngon gjithmonë e më shumë liritë e Hong-Kongut. Ish-kolonia britanike, dikur një nga qytetet më liberale të Azisë, tashmë i ngjan gjithmonë më shumë metropoleve kineze, ku ligjet e Partisë Komuniste të drejtuar nga Xi Jinping bashkëjetojnë në një ekuilibër gjithmonë e më të brishtë me logjikën e kapitalizmit më të avancuar.

Duke filluar nga 1 gushti, figura e drejtorit të emigracionit do të jetë pjesë  e përditshmërisë së pothuajse 10 milionë banorëve të metropolit. Ai do të ketë të drejtën të bllokojë hyrjen dhe daljen nga qyteti i çdo personi, kinez apo jo, pa u justifikuar dhe pa asnjë vendim nga gjykata.

Diçka e tillë ndodh në të gjithë territorin kinez, por në Hong-Kong, ku opozita ndaj autoriteteve kineze është e fortë dhe prej vitesh ka çuar disa herë në protesta masive dhe të dhunshme, po interpretohet si një mjet i fortë presioni ndaj çdo elementi opozitar.  

Shoqata e avokatisë lokale e ka cilësuar vendimin si “vula” që mund të dekretojë fundin e lirive të trashëguara nga sistemi britanik, duke dalë kundra kushtetutës ende të toleruar nga Pekini, por edhe të drejtave ndërkombëtare.  

Nga ana e tyre, autoritetet kineze mohojnë kufizimin e lirive, duke thënë se masa do fokusohet te mundësia e hyrjes në qytet, dhe synon bllokimin e klandestinëve. Por kjo qasje nuk është përcaktuar në vendim, dhe janë shumë ata që mendojnë se do të përdoret masivisht kundër aktivistëve, por edhe ndaj qindra mijëra kinezëve me pasaportë britanike ose me statusin special që i mundëson atë nënshtetësi pasi të mbërrijnë në Britaninë e Madhe.