1 Maji në Kosovë, kryeministri Kurti premton rritje të pagës minimale

albin Kurti 1100x620

Përmes një postimi në rrjetet sociale me rastin e 1 Majit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zgjodhi të premtonte se qeveria e tij do të rrisë pagën minimale në 250 euro.

Gjithashtu, kreu i qeverisë shtoi se do të rriten kontrollet për të siguruar kushte më të mira dhe siguri për punëtorët.

“Do të punojmë me prioritet për punësimin e grave, të rinjve dhe komuniteteve jo shumicë. Do të marrim masa që sigurojnë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësive që mund t’u bëhen punëtorëve në vendet e tyre të punës.

Pagën minimale do ta rrisim fillimisht në 250 euro, do ta përjashtojmë nga tatimi në të ardhurat pensionale, dhe do ta rishikojmë vazhdimisht në mënyrë që ajo të reflektojë ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend”, ka shkruar Kurti.