Cikalleshi, Manaj, Bare, ditë feste për kuqezinjtë

Bare cikalleshi manaj 1100x620

Janë të shumtë shqiptarët që kanë shkëlqyer sot në Europë. Ndërkohë që dje Broja kishte shënuar golin e tij të 10-të në Eredivizie, duke vulosur statusin e tij si një nga surprizat e kampionatit holandez, sot radhën e kishin dy “bomber” të tjerë, Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj.

Sulmuesi kavajas që luan në Turqi me Konyasporin sot ishte protagonist i një prej performancave të tij më të mira, duke realizuar dopietë në minutat 61 dhe 85, si dhe asist në goli e shënuar nga Zymer Bytyqi në minutën e 64-t, në ndeshjen që ekipi i tij dominoi ndaj Karagumrukut 5-1, një ekip ky i fundit ku radhiten edhe emra të njohur si argjentinasi Biglia, dhe italianët Borini dhe Viviano.

Cikalleshi me dygolshin e sotëm shënon sezonin e tij më të mirë në Turqi, me 8 gola, dhe mund ta përmirësojë ende.

Ndërkohë në Spanjë, Rey Manaj vijon të shënojë me fanellën prestigjioze të Barcelonës, edhe pse në ekipin e saj të dytë në Secunda Division, ku tashmë është shndërruar në lider. Lushnjari shënoi golin e parë në ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Ibiza, për t’u ngjitur në kategorinë e dytë spanjolle. Shqiptari ka shënuar një sezon të mirë, ku goli i sotëm është i 11 në sezon. Për 24 vjeçarin kuqezi , pas një seri të gjatë transferimesh dhe golash të pakët, duket sikur ka ardhur momenti që të shpërthej përfundimisht.

E njëjta histori, i njëjti qytet por një kategori më sipër, për një tjetër pilastër të kombëtares. Keidi Bare ishte titullar në sfidën vendimtare në Secunda Division midis Espaniol dhe Malaga, ku ekipi i Bares, fitoi me rezultatin 3-0 duke certifikuar praktikisht ngjitjen në elitën spanjolle.