Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Eksperimenti i pazakontë që çoi në shpikjen e vaksinës së parë

Nga A2 CNN
2 Maj 2021, 07:49 | Lifestyle

Lia konsiderohej kohë më parë një sëmundje e tmerrshme ngjitëse, që shkaktonte dhembje të mëdha trupi, temperaturë të lartë, dhembje fyti, koke, vështirësi në frymëmarrje dhe skuqje në lëkurë.

Me rritjen e tregtisë globale, lia përhapej edhe më thjeshtë, duke infektuar rreth një të tretën e të rriturve dhe 8 në 10 foshnje. Në fillim të shekullit 18-të, sëmundja llogaritet të ketë vrarë rreth 400 000 njerëz çdo vit, vetëm në Evropë, ndërsa në vitin 1721, në Boston zhduku 8% të popullsisë.

Trajtimet që aplikoheshin për këtë sëmundje, ishin të ndryshme, disa të padobishme dhe të çuditshme, si vendosja e njerëzve në dhoma të nxehta, ose të ftohta, ndalimin e ngrënies së disa ushqimeve, mbështjelljen e pacientëve me leckë të kuqe dhe konsumin e 12 shisheve birrë.

Megjithatë, ekzistonte një kurë e mirëfilltë. I njohur si inokulim, apo futja e një mikrobi patogjen në trupin e një individi të shëndetshëm. Në këtë rast, kjo nënkuptonte marrjen e qelbit nga dikush që vuante prej lisë, duke ia kaluar dikujt të shëndetshëm, përmes gërvishtjes së lëkurës. Fillimisht, u praktikua në Afrikë dhe Azi, më pas në Evropë dhe Amerikën e Veriut në shekullin 18-të.

Në vitet 1700, në Anglinë rurale gjatë epidemisë së lisë së bagëtive, fermeri Benjamin Jesty vendosi të merrte qelb nga lopa për ta vendosur në lëkurën e gruas dhe djemve të tij. Asnjë prej tyre nuk u sëmur më nga lia. Duke u mbështetur në këtë eksperiment, Edward Jenner, njeriu i njohur për shpikjen dhe popullarizimin e vaksinimit, bëri vëzhgime dhe arriti në përfundime të ngjashme. Jenner injektoi në vitin 1776, qelbin e një lope të sëmurë te një djalë 8-vjeçar, i cili pas disa ditësh, jo vetëm që u shërua, por edhe zhvilloi imunitet duke mos u infektuar edhe pas kontaktit me njerëz të sëmurë.

Jenner e dinte që për t’u zhdukur sëmundja duhej që të vaksinoheshin sa më shumë njerëz, e ndaj ftoi mjekë nga kudo të bënin të njëjtën gjë si ai. Mbreti Carlos IV i Spanjës, që kishte humbur disa anëtarë të familjes së tij nga lia, porositi që të realizohej një ekspeditë globale për ta shpërndarë vaksinën në skajet më të largëta të Perandorisë Spanjolle. Ekspedita mandej udhëtoi gati në të gjithë botën, dhe brenda 20 viteve nga zbulimi i saj, vaksina po shpëtonte miliona jetë.  

Vendosmëria dhe inovacioni i Jenner ndryshoi botën, shpëtoi dhe vazhdon të shpëtojë miliona jetë njerëzish. Padyshim puna e tij, dhe ekspedita e suksesshme frymëzon sot shkencëtarët për t’i bërë ballë një pandemia globale si ajo e koronavirusit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani