“Defender 21”: Gjenerali amerikan vjen në Tiranë, gati për stërvitjen

Publikuar më: 3/5/2021, ora 19:38

“Defender 21”: Gjenerali amerikan vjen në Tiranë, gati për stërvitjen

Publikuar më: 3/5/2021, ora 19:38

Në prag të çeljes së stërvitjes “Defender Europe 21”, në Tiranë mbërriti Komandanti i Ushtrisë Amerikane në Europë dhe Afrikë, Gjeneral Christopher Cavoli, i cili u prit me ceremonitë përkatëse ushtarake.

Komandanti i Ushtrisë Amerikane në Europë dhe Afrikë, Gjeneral Christopher Cavoli, shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim u pritën fillimisht nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bajram Begaj.

Nderimet e para të mirëseardhjes, himnet përkatëse dhe më tej takimet në prag të çeljes së stërvitjes “Defender Europe 21”.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi konfirmoi gatishmërinë e palës shqiptare jo vetëm për të rritur prezencën në stërvitjet e tjera “Defender” jashtë kufijve, por dhe për të mirëpritur serinë e Defender-it ’23 dhe‘25 në të ardhmen, po në Shqipëri.

Nga ana e tij, Gjeneral Cavoli nënvizoi rëndësinë që kanë stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta, të cilat rrisin nivelin e ndërveprueshmërisë ndërmjet aleatëve.

Ministria e Mbrojtjes njofton zyrtarisht se bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim mbi zhvillimet dhe sfidat e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria luan një rol qëndror në reduktimin e influencave dhe përpjekjeve destabilizuese të aktorëve të huaj në rajon.

Disa mjetet luftarake kanë mbërritur në Durrës, ndërsa të tjera do të vijnë për të kompletuar kështu stërvitjen më të madhe ku marrin pjesë ushtarët shqiptarë.