Koloseu do të bëhet me “parket”

Qeveria italiane ka miratuar planin për t’i shtuar Koloseut një “parket”, në mënyrë që vizitorët të kenë mundësi të qëndrojnë në vendin ku dikur luftonin gladiatorët.

Ministri i Kulturës, Dario Franceschini, shpalli projektin për ndërtimin e dyshemesë së drunjtë, e cila do të kushtojë 18,5 milionë euro dhe do të ndërtohet nga kompania “Milano Ingegneria”. Projekti mendohet të përfundojë në vitin 2023.

Godina 2000-vjeçare nuk e ka pistën me sipërfaqe 3000 metra katrorë, pasi u hoq në shekullin XIX për të ekspozuar rrjetin e nëndheshëm të tuneleve ku mbaheshin gladiatorët dhe kafshët para se të ndesheshin në arenë. Franceschini tha se ky modifikim do t’i lejonte turistët që ta shihnin nga brenda madhështinë e Koloseut.

Dyshemeja do të jetë e gjitha prej druri. Ato do të jenë të lëvizshme dhe pjesët do të rrotullohen për të lejuar dritën e diellit që të hyjë në dhomat e nëndheshme.

Koloseu ka qenë amfiteatri më i madh i Perandorisë Romake, ku luftimet mes gladiatorëve ndiqeshin nga të paktën 50 mijë persona. Para pandemisë, godina antike vizitohej nga miliona vetë çdo vit.