Kryefjala e mandatit të tretë të PS, Xhafaj: Ndezja e motorëve ekonomikë të vendit. Opozita të përfshihet në proceset e mëdha

Etjen Xhafaj, i katërti më i votuar në listën e PS-së në Tiranë, me 12 793 vota, ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në “Dita jonë”. Ai u shpreh se kryefjala e mandatit të tretë të kësaj mazhorance do të jetë ndezja e motorëve ekonomikë të vendit.

“Rreziku më i madh është mbilodhja mbi veten. Mandati i dyti ishte i ndërprerë dhe tashmë ka mbetur një energji shumë e madhe për t’u përdorur. Ka disa projekte që janë në mes. Besoj se rimëkëmbja imediate do të jetë sfida më e madhe. Do të hapim një sezon turistik normal. Këtë javë kishim një fluks shumë të madh. Kryefjala e këtij mandati, ndezja e motorëve ekonomikë të vendit”.

Xhafaj foli edhe për bashkëpunimin e mundshëm me Partinë Demokratike. “Ka ardhur koha të bashkohemi. Këto janë sfida që kanë rëndësi tërësore për popullin dhe nuk mund të futemi të ndarë. Duhet të bëhemi bashkë për të ecur përpara. Ka ardhur koha që në 31 vitet e tranzicionit, opozita ta pranojë njëherë atë që është mandati nga populli”, u shpreh Xhafaj.