Raporti i Prokurorisë, tendencë në rritje e krimeve kompjuterike, preken dhe fëmijët

Viti 2020 ka shënuar rritje të krimeve kompjuterike në vend, që me përdorimin e pandemisë për vjedhjen e të dhënave personale, paratë online, por edhe ndërhyrjen në sistemet kompjuterike.

Edhe në raportin më të fundit të Prokurorisë së Përgjithshme mbi tendencën në rritje të veprave penale, krimi kibernetik ka shënuar rritjen më të madhe me mbi 35% krahasuar me veprat e tjera. Pak ditë më parë edhe Policia e Shtetit u bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes, ndërsa Tirana është qyteti më i goditur nga ky fenomen.

Sipas të dhënave statistikore të Prokurorisë së Përgjithshme, përgjithësisht ata që kryejnë këto krime janë djem e vajza me arsim të lartë e me njohuri të larta kompjuterike. Në rritjen e krimeve kibernetike përgjatë vitit 2020 rezulton se ka ndikuar edhe pandemia.

Sipas të dhënave të Interpol, Covid-19 është përdorur gjerësisht në zhvillimin e programeve malinje, kjo për shkak se kërkimi më i madh nga ana e qytetarëve ka të bëjë me pandeminë. Paralelisht janë shtuar vjedhja e të dhënave personale, si dhe mashtrimet nëpërmjet blerjeve online. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, mesatarisht në 10 mijë banorë nga krimet kibernetike preken 6 persona, ndërsa shqetësues mbetet fakti se ka filluar të prekë dhe fëmijët nëpërmjet lojërave të rrezikshme online.

Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, krahas krimeve kibernetike, rritje kanë pësuar dhe krimet kundër jetës, ato kundër mjedisit, si dhe pastrimi i parave.