Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB DEFENDER frame 139 1100x620

Sot nis në Shqipëri stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”

Në prag të çeljes së stërvitjes “Defender Europe 21”, në Tiranë mbërriti Komandanti i Ushtrisë Amerikane në Europë dhe Afrikë, Gjeneral Christopher Cavoli, i cili u prit me ceremonitë përkatëse ushtarake. Në takimin që pasoi, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, konfirmoi gatishmërinë e palës shqiptare jo vetëm për të rritur prezencën në stërvitjet e tjera “Defender” jashtë kufijve, por dhe për të mirëpritur serinë e Defender-it ’23 dhe ’25 në të ardhmen, po në Shqipëri.

Basha paralajmëron se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve

PD-ja nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve. Ky është njoftimi që u bë mbrëmë në selinë e kësaj force politike nga kreu i saj, kryetarëve të degëve. Sipas Bashës, rezultati është i deformuar dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve. Kjo nuk do të thotë që demokratët nuk do të jenë pjesë e Parlamentit, por këtë rezultat do ta kontestojnë në çdo formë të mundshme. Sot në orën 18:00, Basha takon deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Mazhoranca e vendosur, të enjten ngrihet komisioni për shkarkimin e Metës

Ditën e enjte pritet të ngrihet komisioni i deputetëve që do të hetojnë edhe një herë rolin e presidentit të Republikës, Ilir Meta. Tani gjërat janë të qarta tha kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, teksa konfirmoi firmën e 50 deputetëve dorëzuar Kuvendit. Shumica qeverisëse pretendon se deklaratat e kreut të shtetit janë në shkelje flagrante të rolit të tij mbi palët.

Të vaksinuar me Sinovac, shqiptarët ende nuk mund të udhëtojnë

Shqipëria po shkon drejt objektivit të 1 milion vaksinimeve, por të gjithë ata që kanë marrë vaksinën e Sinovac nuk i plotësojnë kushtet e lëvizjes së lirë të prezantuar nga BE-ja. Vetëm ata që janë vaksinuar me një nga 4 vaksinat e certifikuara nga Agjencia Europiane e Barnave do ta kenë këtë të drejtë. Në listë janë; Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson and Johnson.

“Non papers”, Rama akuzon “Der Standard” për fake news

Kryeministri Rama mohon akuzat për përfshirje në planin për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Rama e cilëson artikullin e “Der Standard”, fake news. Edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, e konsideron të pavlerë publikim “non papers”, sipas të cilit Gjermania ishte e përfshirë në ricaktimin e kufijve.  

Integrimi, KE: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të ndahen

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të ndahen në rrugën e tyre europiane dhe kjo është përgjigjja e sigurt e marrë nga dalja publike për mediat e zëdhënëses së komisionit, Anna Pisonero. Lajmet se tryeza e parë ndërqeveritare pritet të mbahet në muajin qershor nuk qëndrojnë nëse merret për bazë kjo deklaratë që i gjen vendet të papërgatitura për këtë hap. Kjo pasi, Maqedonia e Veriut nuk i ka zgjidhur ende problemet me fqinjët bullgarë dhe situata duket e nderë. Pastaj, një tjetër hap për Shqipërinë është edhe raporti i OSBE ODIHR për zgjedhjet që pritet të aprovohet me votë në Komisionin Europian.

Vllaznia e Teuta ndahen në paqe, përfiton Partizani

Vllaznia dhe Teuta nuk dinë të fitojnë në sfidën direkte për titull dhe Partizani përfiton. Sfida në “Loro Boriçi” përfundoi në barazim pa gola, me shtyllën që i mohoi suksesin shkodranëve. Në anën tjetër, Teuta nuk shfaqi forcë dhe kthjelltësi për të fituar dhe humbet vendin e parë. Në krye të kampionatit ngjitet Partizani, pas suksesit 1-0 me Apoloninë. Goli i Jasir Asanit i dha suksesin të kuqve, që shkojnë në kuotën e 57 pikëve. Teuta ndjek me një pikë më pak, ndërsa më pas vijnë Vllaznia dhe Laçi që mundi 2-0 Kukësin.

Ervin Skela merr drejtimin e të rinjve të Eintracht Frankfurt

Ervin Skela, ish-mesfushor dhe kapiten i kombëtares shqiptare, është emëruar trajner i ekipit U-17 të Eintracht Frankfurt. Vlonjati do të ketë kështu detyrën e rëndësishme për të rritur të rinjtë e klubit gjerman. Skela ka qenë lojtar i Eintracht në periudhën 2001-2004, në të cilën ka luajtur 92 ndeshje dhe ka shënuar 26 gola. Ndërkohë, me fanellën kuqezi, ish-mesfushori ka zhvilluar 75 ndeshje e ka shënuar 13 gola përgjatë 11 viteve (2000-2011).