Shkarkimi i Metës, Daci: Procedura, e rregullt. Rrezik ndarja e Kushtetueses

Nisma e socialistëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta po ndërmerret kur kemi një Parlament të ri të zgjedhur më 25 prill që pret certifikimin, nderkohë që mandati i Parlamentit aktual jo vetëm që përfundon në shtator, por historiku i votimeve që prej vitit 2019 ka treguar se socialistët mund të sigurojnë 94 votat e nevojshme për shkarkimin e Ilir Metës.

Por, si pas çdo nisme, edhe mbi këtë, dyshimet e para që mund të ngrihen janë ato mbi rregullsinë proceduriale e ligjore. Gazetari Aristir Lumezi shprehet: “Problem është ligji për ngritjen e komisioneve hetimore. Ligji thotë që komisionet hetimore që nuk mund të ngrihen 4 muaj para mbarimit të mandatit dhe kjo mund të çojë në një interpretim të Gjykatës Kushtetuese”.

Këto hije dyshimi hidhen poshtë nga juristi Jordan Daci, i cili në një intervistë për A2 shpjegon se procedura e ndjekur deri më tani është në përputhje me Kushtetutën: “Por, të numërojmë ditët nga sot apo kur ka filluar nisma me shtatorin? Kemi më shumë se 4 muaj. Nëse nuk arrijnë ta ngrenë komisionin, atëherë komisioni do të jetë antikushtetues”.

Edhe nëse shkarkimi miratohet në Parlament, sërish nuk është përfundimtar, pasi fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese. 

“Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese bëhet me 5 vota pro dhe minimumi 6 veta pjesëmarrje në seancë plenare. Nëse formohet kuorumi ose jo, është çështje tjetër. Ka një dispozitë tjetër ligjore që nëse nuk bëhet kuorumi, vendimi rrëzohet”, thekson Daci.

Kjo nuk është hera e parë që Kuvendi ndërmerr një nismë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Por, ndryshe nga e para, që u dekurajua nga Komisioni i Venecias, gazetari Lumezi mendon se të dytës do t’i shkohet deri në fund në Parlament: “Presidenti ishte i pozicionuar në një krah dhe kjo u vërejt edhe në raportin e OSBE/OHDIR, ku thuhet se Presidenti nga roli i tij sulmoi qeverinë”.

Për të shkarkuar Presidentin e Republikës nevojiten minimalisht 94 vota pro dhe procesi po materializohet në Komisionet Parlamentare, ndërsa i akuzuari për shkelje kushtetuese, Presidenti Meta, duket tejet i qetë. Sipas tij, nisma e mazhorancës është vetëm një shashkë për të larguar vëmendjen nga hetimi i zgjedhjeve parlamentare.