Akademia rishkruan historinë e shqiptarëve? Ceka: Nuk është rishkrim, por do e realizojmë në mënyrën e shekullit XXI

5 MAJ DITARI 19 00 PJ 2 CL frame 13152 1100x620

Një nga iniciativat më të rëndësishme të dekadave të fundit nga Akademisë e Shkencave do të jetë një projekt ambicioz, që do të mundësojë një tekst që premton të jetë pikë orientimi e rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi.

Neritan Ceka është një nga bashkëhartuesit dhe redaktoret e specializuar për periudhën e antikitetit të këtij projekti.

“Do të jetë një punë e gjatë 2-vjeçare, ku rezultatet e para do të shihen në një konferencë albanologjike në fund të vitit, ndërkohë që libri do të jetë në vitin 2022”, thotë ai për A2.

Profesori i njohur dëshiron të specifikojë se  “nuk ka projekt të rishkrimit të historisë, teza e rishkrimit është ajo e atyre që nuk kanë shkruar ndonjëherë asgjë. Nuk mund të shkruash historinë pa Budën, pa Kabanin, por ne do ta shkruajmë në mënyrën e shekullit tonë, e shekullit 21, dhe jo të shekullit të kaluar”. Po përse tani, nevoja e një vepre të tillë? Sipas Cekës, kjo vjen nga dy arsyeje.

“Kishte 20 vite që mungonte një vepër të tillë, ndërkohë që ka interes te shtuar nga të huajt por edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë. Vepra do të jetë e shkruar në anglisht, por do të ketë edhe variantin shqip. Varianti do të ndikojë edhe tekstet mësimore, kryesisht falë një versioni më të shkurtër ku ato mund të bazohen. Nuk do të jetë tekst që përmban debate,  thjesht do të jetë histori normative. Për çështje delikate do gjendet një rrugë e mesme, për të pasqaruar një realitet sa më afër me atë që ka ndodhur, por pa e bërë subjektive, sepse subjektivizmi është rreziku më i madh”.

Profesor Ceka jep edhe shembuj konkretë. “Për periudhën e lashtësisë, përshembull, le te marrim çështjen e pellazgëve, ku ka patur shumë diskutime. Është një tezë romantike, e marrë nga rilindësit, që me objektivin për t’i dhënë shqiptarëve një origjine sa më të hershme, gjendeshin te pellazgët. Por studimet i kanë ndarë pellazgët nga ilirët, ku pellazgët janë nga koha e neolitit, ndërkohë që ilirët janë të epokës e bronzit dhe hekurit. Pra studimet kanë provuar që nuk ka prerje me thikë por as vazhdimësi historike midis të dyve”, shpjegon ai, duke sqaruar se “kemi të bëjmë me studimin e një qytetërimi,  dhe nuk do të përfshijë vetëm kufijtë tonë që janë relativisht të rinj, sepse jemi trashëgimtarë të një kulture që shkon nga Istria deri në gjirin e Artës, por pa patur pretendime mbi këto territore”.  

Sipas tij, grupi shkencor do përpiqet “t’i gjej vendin rolit të shqiptarëve aty ku është mohuar ose minimizuar. Mendohet që ilirët ishin kryesisht piratë, por kjo nuk reflektohet nga studimi i teksteve dhe arkeologjia, sepse Iliria kishte qytete, teatro, ligje. Te ky libër do të pasqyrojmë historinë siç është sepse vepra do të ketë qasje informuese, dhe jo formuese si në rastin e  librave shkollorë”.

Vepra për Cekën është hap i domosdoshëm jo vetëm për kulturën, por edhe për identitetin e vetë shqiptarëve.

“Mësimi i historisë që bëhet në shkollat tona është i reduktuar. Por historia nuk është thjesht kulturë  e përgjithshme, por kulturë identiteti, dhe çdo tentative për shtimin, përshembull,  e orëve të matematikës në dëm të historisë, cenon identitetin. Ky është projekt i dobishëm për shkollat por edhe për informimin e publikut ndërkombëtar”, vlerëson Ceka.